Në vitin 2022 sporti kosovar në bazë të Ligjit për Sponsorizime përfitoi rreth 11 milionë euro. Kjo shifër në vitin 2023 u rrit në mbi 15 milionë euro. Dhe në vitin 2024 shifra ka kaluar 20-milionëshin.

Shumica e parave përfundojnë në klube të basketbollit e futbollit. Apo të paktën duhet të përfundojnë. Në sportet e tjera ka dukshëm më pak të hyra nga marrëveshjet e sponsorizimit. 

Ka plot klube të vendit që nuk përfitojnë fare nga ligji për sponsorizime. Kjo ndodh për arsye të ndryshme: për shkak të dokumentacionit jo të kompletuar, për shkak të paaftësisë së drejtuesve, për mungesë të lidhjes me bizneset dhe për faktin se nuk janë atraktive për bizneset e ndryshme.

Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit megjithatë ofron mundësi të shumta dhe këtë po e shfrytëzojnë palë të ndryshme. Ndërkohë që kontrolli ende vlerësohet se nuk është në shkallën e duhur.

Vjet janë lëshuar plot 1.557 vërtetime, në bazë të të cilave realizohen marrëveshjet e sponsorizimit.

Në vitin 2023 ishin 1.519 vërtetime. 

Njëjtë si në vitin 2023, disa vërtetime janë jo shumë tipike. Për shembull, nga Ligji për sponsorizime kanë përfituar edhe tifozët. Saktësisht “Organizata e Tifozërisë Kombëtare ‘Dardanët’’’. Kjo organizatë ka të evidentuara tri marrëveshje sponsorizimi prej 6.000, 5.000 e 3.000 euro. Pra tifogrupi

“Dardanët”, që bën tifo për Kosovën në futboll, nga Ligji për sponsorizime ka përfituar 14  mijë euro.

Është jo shumë e zakontë që një grup tifozësh të përkrahet me mjete të buxhetit të shtetit e të tilla indirekt janë edhe këto që ndahen nga Ligji për sponsorizime.

Nga ligji kanë përfunduar edhe veteranët. Për shembull “Shoqëria e Futbollit të Veteranëve Ferizaj” ka realizuar marrëveshje për 10 mijë euro.

Ligji po del shumë i favorshëm edhe për shkollat e sportit. Por, pak ndonjë shkollë sportive heq dorë nga pagesa e rregullt mujore që duhet ta bëjnë fëmijët, edhe pse realizohen të hyra të mëdha në bazë të ligjit. 

“Top Sport and Education” ka përfituar vazhdimisht nga marrëveshjet e sponsorizimit dhe vjet kishte të hyra prej 78 mijë e 800 eurosh.

Shkolla e volejbollit Xhinoci nga Suhareka ka realizuar marrëveshje për 37 mijë euro. Shkolla e basketbollit “Junior 06” nga Prizreni kishte marrëveshje për 26 mijë e 500 euro. Shkolla tjetër e futbollit “Pro Futboll” realizoi marrëveshje për 25 mijë e 400 euro.

Kanë përfituar edhe shoqata që merren me sport, si “Kick In” (17 mijë), shoqata e tenisit “Grande” (11 mijë), pastaj shoqëria bjeshktare “Prishtina” (69 mijë euro), Qendra Sportive Prishtina (17 mijë). 

Edhe klubet e sporteve më pak të popullarizuara në vend po gjejnë mbështetje në ligj. Për shembull, klubi për kajakim “EGËR” ka realizuar marrëveshje për 47 mijë euro. 

Klubi i tenisit dhe golfit “DielliX” ka përfituar 26 mijë euro, kurse klubi i sporteve elektrike “Exportal” plot 70 mijë e 250 euro. Lojërat elektronike nga shumëkush vlerësohen argëtim, por ligji mundëson të hyra të majme edhe për klube të kësaj disipline.

Edhe boulingun shumë e konsiderojnë rekreacion. Por një klub i boulingut, Katana, ka përfituar 17 mijë euro, sipas evidencës së komisionit përkatës.

Katër klube të aeronautikës kanë përfituar 57 mijë euro gjatë vitit 2024, por janë shumë larg nga klubet e autosporteve. 

Prej autosportit, klubi “Eurogom Racing Team” ka realizuar marrëveshje për 135 mijë euro. 

Klubi tjetër “Prishtina Racing Team” ka marrëveshje për 118 mijë euro. Auto Moto Klubi i Kosovës kishte të hyra vjet prej 84 mijë euro, ndërsa klubi i automotos “Theranda” prej 52 mijë eurosh. Shifrës prej 100 mijë eurove i është afruar edhe autoklubi “Prizreni”, që saktësisht ka marrëveshje për 98 mijë euro.

Jo të gjitha marrëveshjet realizohen nga bizneset. Por komisioni i MKRS-së ka të evidentuara gjitha këto marrëveshje dhe kjo nënkupton se këto para u takojnë klubeve, shkollave, shoqatave e federatave, me ligj.

Klubet elitare në basketboll e futboll megjithatë mbesin pa konkurrencë. Ato realizojnë të hyra më shumë se të gjitha klubet e të gjitha sporteve të tjera së bashku.