Pasi pësoi lëndim në muskulin aduktor në mesin e muajit dhjetor, futbollisti i Kosovës shpresonte të kthehej në fushë këto ditë. Por, ai duhet të presë edhe disa javë

Kjo është goditje e madhe për skuadrën e Lillet, që do të duhet të përballet në një tjetër sfidë, përkatësisht në Ligën e Kampionëve, pa lojtarin me të cilin gjithçka është e mundur. Pak para ndeshjes që u zhvillua të shtunën në Strasbourg mes Strasbourgut e Lillet, presidenti i klubit, Olivier Letang, ka konfirmuar për mediumin “Lavoixdunord.fr” se Edon Zhegrova nuk do të jetë i gatshëm për lojë edhe për të paktën gjashtë javë. Të njëjtin lajm e ka konfirmuar edhe mediumi tjetër i njohur francez, “L’Equipe”.

Raportohet se sulmuesi i krahut ka lëndim të muskujve të pjesës së poshtme të barkut.

Lille pa Zhegrovën në fushë, e regjistroi humbjen e dytë rresht 2:1, pas asaj nga Liverpooli në Ligën e Kampionëve.

Në garën elitare të UEFA-s për klube, Lille të mërkurën mbrëma do të përballet me Feyenoordin në kuadër të xhiros së fundit të fazës së ligës. Dhe do të jetë sërish pa Zhegrovën.

Në Champions, Lille është në vendin e 12-të me 13 pikë. Kjo pozitë e siguron avancimin në fazën e plejofit.

Duke dashur që të mbetet informacion konfidencial i stafit mjekësor, presidenti i Lillet nuk ka dashur të tregojë nëse futbollisti i Kosovës duhet t’i nënshtrohet operimit. Operimin edhe stafi mjekësor nuk ka dashur ta marrë në konsideratë derisa i ka kryer ekzaminimet mjekësore. Presidenti Olivier Letang ka hedhur poshtë mundësinë e largimit të sulmuesit të krahut. Për Zhegrovën interesim ka shprehur Napoli.

“Ai ka qarë para televizorit të martën derisa e shikonte ndeshjen ndaj Liverpoolit”, ka treguar Letang për mediumin francez.

Zhegrova ndeshjen e fundit në kampionatin francez e ka zhvilluar kundër Marseillet në udhëtim. Ai ballafaqim, që i takoi xhiros së 15-të të elitës së futbollit francez, përfundoi 1:1 dhe u zhvillua më 14 dhjetor. Zhegrova kishte luajtur vetëm në pjesën e parë.

Më pas nuk ishte pjesë e skuadrës për duelin e 1/32 së finales së Kupës së Francës, ndeshje të cilën Lille e fitoi 1:0 në udhëtim te Roueni.

Mungoi edhe ndaj Nantesit, Auxerret, Marseilles, Nicet, Liverpoolit e Strasbourgut.

Pra janë shtatë ndeshje të cilat i ka humbur Zhegrova për shkak të lëndimit të cilin po e vuan prej kohësh.

Nëse rikuperimi i sulmuesit 25-vjeçar zgjat gjashtë javë, ai pritet të kthehet në mesin e muajit mars. Lille më 16 mars luan në udhëtim te Nantesi, në xhiron e 26-të të elitës franceze.

Zhegrova pritet të jetë i gatshëm për Kosovën për duelet e plejofit për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Kosova më 20 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë luan përballë Islandës, ndërsa tre ditë më pas luan në Murcia të Spanjës, në stadiumin “Nueva Condomina”. Kjo është konfirmuar tashmë, pasi stadiumi ku Islanda i zhvillon ndeshjet në Reykjavik është në renovim dhe nuk do të jetë i gatshëm për lojë në atë kohë.

Kohëve të fundit është folur shumë për një largim të Zhegrovës nga Lille. Kërkesa e Lillet për të para lëndimit ishte 25 milionë euro. Napoli shprehu interesim pas largimit të Khvicha Kvaratskhelias në drejtim të PSG-së.

Zhegrova në edicionin aktual te Lille ka qenë prej lojtarëve kryesorë me tetë gola e dy asistime në 21 paraqitje. Ka shkëlqyer sidomos në Champions.