Lojtaret e Kosovës u vendosën të parat në autobus. Ndërkohë e kishin kuptuar se nuk do ta kenë komoditetin e zakonshëm, atë të udhëtimeve të mëparshme. Rrugën prej çerek ore nga Genku për në Hasselt, qytetin tjetër belg, do ta bënin bashkë me lojtaret e Bosnjë-Hercegovinës. Në të njëjtin autobus.
Ishte një vendim disi i pazakontë i organizatores së turneut të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror në hendboll – federatës belge.
Për të kursyer, federata e Belgjikës kishte vendosur që rrugën nga hoteli për në palestër dhe nga palestra në hotel përfaqësueset e Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës ta bëjnë së bashku. Hoteli ku ishin të akomoduara dy përfaqësueset ishte në Genk e ndeshjet zhvilloheshin në Hasselt, rreth 15 kilometra larg. Kjo nuk ndodh thuajse asnjëherë në nivelin serioz ndërkombëtar. Por belgët vendosën ashtu.
Kosova tashmë kishte një fitore, ndaj Belgjikës, të arritur më 25 tetor. Të nesërmen ishte ndeshja me Bosnjë-Hercegovinën.
Kosova ishte favorite edhe për ndeshjen e dytë, por disi kishte një drojë në mesin e hendbollisteve. Kjo u forcua derisa po bëhej rruga nga hoteli për në palestër.
Disa prej lojtareve të Kosovës po këndonin, dhe kështu po motivoheshin për ndeshjet vendimtare. Më të organizuara e më të zëshme ishin lojtaret Bosnjës, jo të gjitha boshnjake. Ato nisën këngën, që fliste për dashurinë ndaj Bosnjës, të gjitha së bashku. Dhe kënga e tyre dominoi udhëtimin. U shfaqën edhe flamuj.
Kjo nuk zgjati shumë, pak minuta. U kthye qetësia e ndërkohë edhe nisi ndeshja. Lojtaret e Kosovës nisën furishëm dhe dominuan deri në fund. Siguruan fitoren 32:26 dhe avancuan në fazën e fundit të kualifikimeve për Botërorin 2025, ku do të përballen me Suedinë.
Kthimi ishte edhe më i pazakontë. Zhurma ishte e gjitha në anën e pasme të autobusit, ku ishin lojtaret e Kosovës. Festa e tyre ishte e madhe. Synimi ishte arritur. Ato ishin më të koordinuara e më të zëshme.
Dy-tri lojtare organizuan të tjerat dhe përnjëherë nisi kënga e famshme “Mora fjalë”. Është një këngë me frymë atdhedashurie, shumë e përhapur në arenat sportive. Shërben për të motivuar lojtarë e tifozë, por edhe për të festuar fitoret.
Për festë shërbeu në mbrëmjen e 26 tetorit, në rrugën nga Hasselti për në Genk. Autobusi buçiste nga kënga e lojtareve të Kosovës, shumë prej tyre të lindura e të rritura jashtë vendit, në shtete si Danimarka, Zvicra, Gjermania e Norvegjia. Këngën “Mora fjalë” e dinin të gjitha. Dhe e këndonin njëzëri, sikur ta kenë ushtruar për shumë kohë.
Lojtaret e Bosnjës nuk u dëgjuan fare rrugës për në hotel. U larguan shpejt nga autobusi e u panë pak edhe në hotel.
Suksesi i përfaqësueses së hendbollisteve ishte prej pak sukseseve të ekipeve përfaqësuese të Kosovës në konkurrencë ekipore gjatë vitit 2024.
Dhe dëshmon për rëndësinë e atyre rreshtave të “Mora fjalë” që ka vjet që simbolizon festën e motivimin në sportin shqiptar.
Më pak kjo këngë është dëgjuar në ndeshjet e Shqipërisë në futboll. Ka pasur zëra e dyshime se ajo është ndaluar, e që është mohuar nga FSHF-ja.
Vështirë se ajo këngë do të dëgjohet në të ardhmen në autobusin ku janë edhe kundërshtaret e Kosovës. Por në stadiume e palestra, e madje edhe në stërvitje të lojtarëve e lojtareve shqiptare, do të dëgjohet gjatë.