Superylli brazilian i futbollit, Neymar, është pajtuar të kthehet te Santosi gati 12 vjet pas largimit nga ky klub.

Këtë e bëri të ditur presidenti i klubit të madh brazilian, Marcelo Teixeira, të martën.

Të hënën Neymari shkëputi kontratën me klubin arab Al-Hilal, me marrëveshje të dyanshme. Ai pati telashe të vazhdueshme me lëndime dhe për këtë arsye i luajti vetëm shtatë ndeshje për skuadrën arabe dhe shënoi një gol.

32-vjeçari kishte fituar gjashtë tituj te Santosi, ku u rrit si futbollist. E fitoi ndër të tjera Copa Libertadoresin në vitin 2011. Santosi është qytet bregdetar në afërsi të Sao Paulos.

“Është koha që Neymar të kthehet. Është koha që ai të kthehet te njerëzit e tij. Në shtëpinë tonë, në klubin e zemrave tona”, ka shkruar Teixeira në profilet e tij.

“Mirësevjen djali ynë Ney. Djaloshi i ‘Belmiros’. Kthehu për të qenë sërish i lumtur me fanellën bardh e zi. Komuniteti Santos të pret me duar hapur”.

Neymari për shumë vjet është llogaritur prej më të mirëve në botë. Ai së shpejti pritet të udhëtojë për në Brazil dhe të prezantohet zyrtarisht para tifozëve të zjarrtë të Santosit.