Po, shumë lojtarë të Borussia Dortmundit ishin me grip së fundi dhe kanë stërvitur pak apo nuk janë stërvitur fare. Po, shumë prej këtyre lojtarëve do të ishin në fushë të martën mbrëma në rrethana të tjera, nëse gjendja fizike e tyre do ta lejonte këtë. Por, për të qenë të qartë: jo, ky nuk mund të jetë arsyetim për paraqitjen e zbehtë të Borussia Dortmundit, sidomos në 45 minutat e parë të humbjes së merituar, 4:2, nga Holstein Kiel.
Me humbjen nga Kieli, Dortmundi ka kompletuar edicionin vjeshtor më të keq në dhjetë vjetët e fundit. Shumë gjëra po shkojnë keq për skuadrën e madhe gjermane, të njohur edhe për tifozët e zjarrtë.
Trajneri 36-vjeçar Nuri Shahini mori drejtimin e skuadrës në verë, ndërsa për të është pozita e parë në një klub të madh botëror. Para Dortmundit ai drejtoi vetëm Antalyasporin në Turqi.
Që nga fillimi kishte dyshime nëse Shahini është gati për një përgjegjësi kaq të madhe. Disa e vlerësojnë të duhur, duke përmendur vendin e nëntë në Ligën e Kampionëve dhe rezultatet e mira në këtë garë. Disa vlerësojnë se ai nuk është i duhuri, duke u fokusuar te situata në Bundesligë.
Eksperti i Sky Sports, Dietmar Hamann, beson se orët e Shahinit si trajner i Dortmundit janë të numëruara.
“Borussia Dortmundi nuk është vend ku mund të mësosh. Nëse dëshiron të mësosh duhet të shkosh në Bundesliga 2 apo ligën e tretë”.
Shahini megjithatë e ka përkrahjen e drejtuesve të klubit.
“Ai nuk është pjesë e debatit”, ka thënë drejtori sportiv, Lars Ricken.
Drejtori sportiv më shumë e ka me lojtarët.
“Nëse lojtarët mendojnë se janë të veçantë, atëherë është thjesht turpëruese dhe e padinjitetshme”.
Ai vlerëson se lojtarët nuk e kanë dëshirën e duhur për të performuar. Kapiteni Emre Can ka folur për këtë. Ka thënë se qasja nuk është e duhur, duke nisur prej tij.
“Nuk mund të luajmë në këtë mënyrë. Duhet ta ndryshojmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur. Është diçka që ka të bëjë edhe me nderin”.
Lojtarët kryesorë nuk janë të duhurit. Emre Can është kryesisht mesfushor, ndërsa luan edhe në mbrojtje. Shpesh është përgjegjës për t’i mbuluar hapësirat. Zëvendësi i tij, Julian Brandt në raste është organizator i shkëlqyer, por pëson rënie të pabesueshme, si kundër Kielit kur humbi topin për epërsinë 1:0 të kundërshtarit.
Liderët tjerë potencialë, Marcel Sabitzer apo Niklas Sule, nuk kanë kualitetet udhëheqëse për të cilat është shpresuar. Nico Schlotterbeck është i vetmi lojtar tjetër në fushë që duket se ka këto kualitete.
Për shkak të lëndimeve dhe sëmurjeve skuadra ndryshon shpesh. Vetëm në katër ndeshje, katër lojtarët e mbrojtjes ishin të njëjtë me takimin paraprak. E njëjta mbrojtje tri herë rresht? Nuk ka ndodhur asnjëherë.
Schlotterbeku ka luajtur në tetë formacione të ndryshme në 15 ndeshje që ka zhvilluar. Skuadra ka pranuar 29 gola në 17 ndeshje, ndërsa portieri Gregor Kobel ka ndalur plot gola të tjerë. Vetëm në tri ndeshje skuadra verdhezi nuk ka pranuar gol.
Humbja turpëruese nga Kieli e paraqet stilin e lojës së Dortmundit. Kjo skuadër e kishte topin në 78 për qind të kohës, por pa krijuar shanse. Ngjashëm ishte edhe javën e kaluar ndaj Leverkusenit, ku Dortmundi kishte topin në 70 për qind të kohës.
“Duam të kemi kontrollin e lojës, kjo është e qartë. Por mbi të gjitha duam të shkojmë në zonën e kundërshtarit”, ka thënë Shahini pas humbjes me Kielin.
“Shumë rrallë kemi shanse për gol. Nuk mbaj mend asnjë rast të mirë, pos atyre dy golave. Por edhe golat e shënuar nuk ishin nga rastet e mira”.
Dy golat u shënuan me goditje nga distanca.
Mungesa e rrezikut në sulm është çështje edhe për drejtorin sportiv, Sebastian Kehl. Donyell Malen u largua për tek Aston Villa dhe kjo e bën më të vështirë situatën në klub. Vetëm një prej shumë transferimeve të verës ka bindur plotësisht deri më tani. Kjo ndër të tjera shihet edhe në pozitën e skuadrës në tabelë. Dortmundi tani është vetëm në mesin e tabelës me 25 pikë nga 17 ndeshje.