Kaiserslauterni ka angazhuar të mërkurën portierin shqiptar, Simon Simoni.

20-vjeçari është huazuar nga Eintracht Frankfurti për një vit e gjysmë.

Julian Krahl është portieri i parë i skuadrës së Bundesligës 2, ndërsa Simoni tani do të jetë konkurrent i fortë i tij.

“Ne gjithnjë kemi thënë se duam të kemi një tjetër portier në skuadër për të ofruar konkurrencë. Me Simonin kemi gjetur portierin e përkryer. Ai është i ri, i talentuar, me potencial për zhvillim dhe tashmë ka përvojë të konsiderueshme në nivel të lartë”, ka thënë drejtori i Kaiserslauternit, Thomas Hengen.

Simonni është nga Lezha, ndërsa ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Shqipërisë. Në vitin 2023 ishte transferuar tek Eintracht Frankfurti nga Dinamo Tirana. Në pjesën e parë të këtij edicioni ishte huazuar te skuadra e kategorisë së tretë gjermane, Ingolstadt.

Me Eintracht Frankfurtin, Simoni ka kontratë deri në verën e vitit 2027.

“Kaiserslauterni është klub i madh me tifozë të shkëlqyer dhe jam i lumtur që jam këtu. Shoh mundësi reale për të bërë hapin tutje në zhvillimin tim. Do të bëj çdo gjë për të ndihmuar ekipin”, ka thënë Simoni.