Manchester Cityt i duhet fitorja ndaj Club Brugge për të shmangur eliminimin e turpshëm nga Liga e Kampionëve. Trajneri i kampionit anglez, Pep Guardiola, nuk ishte në disponim të fliste të martën për mundësinë e eliminimit që në fazën e ligës së Championsit.
Faza e ligës është prezantuar këtë edicion, ndërsa e zëvendëson fazën grupore. Në fazën e ligës janë tetë xhiro gjithsej e më pas vetëm skuadrat më të mira avancojnë në fazën nokaut.
Në fazën e ligës garojnë 36 skuadra. Tetë më të mirat avancojnë direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej pozitës së nëntë e deri në pozitën e 24 avancojnë në fazën e plejofit, që është fazë para asaj të një të tetës së finales. Ndërkohë që skuadrat prej pozitës së 25-të e deri në pozitën e 36-të eliminohen pas fazës së ligës.
Një xhiro para fundit të fazës së ligës, Manchester City është pikërisht në vendin e 25-të. Pra aktualisht është në zonën e eliminimit. Nga shtatë ndeshje ka mbledhur vetëm tetë pikë, sa i ka edhe Dinamo Zagrebi në vendin e 26-të. Nëntë pikë nuk i ka asnjë skuadër, ndërsa nga dhjetë i kanë Benfica, Paris Saint-Germaini, Sportingu dhe Stuttgarti.
Nga 11 pikë i kanë PSV Eindhoveni dhe Club Brugge. Ndonjëra prej këtyre skuadrave do të mbetet jashtë. Pas Cityt e Dinamo Zagrebit është Shakhtar Donetsku me shtatë pikë. Skuadrat tjera më poshtë në tabelë kanë nga pesë pikë apo më pak dhe janë pa gjasa për avancim.
Të gjitha ndeshjet e xhiros së fundit të fazës së ligës janë të mërkurën nga ora 21:00.
Për Cityn është e qartë: çdo gjë pos fitores ndaj skuadrës belge Brugge nënkupton eliminim të turpshëm.
“Natyrisht, nuk do të ishte mirë, por nuk po mendoj për këtë momentalisht”, ka thënë Guardiola në konferencë për shtyp, të martën.
“I çmoj të gjitha brengat tuaja, por mendoj se do t’ia dalim”.
Gjasat që City të avancojë vlerësohen të mëdha, ndonëse skuadra e madhe angleze kishte formë jostabile këtë edicion. Për shkak të krizës që kishte në vjeshtë, megjithatë asgjë nuk mund të merret e garantuar.
“Opsion e kemi ta fitojmë ndeshjen. Nëse nuk ia dalim, nuk do të vazhdojmë në garë. Nuk është problem. Është një mundësi, një sfidë dhe ne do ta përballojmë atë”, ka shtuar Guardiola.
Brugge ka tri pikë më shumë se City. Në “Etihad” merr me vete serinë prej 20 ndeshjeve pa humbje. Barazimi do t’i mjaftonte skuadrës belge për të siguruar vend në plejof. Mesfushori Ardon Jashari është prej lojtarëve kryesorë të Brugget.
Paris Saint-Germaini është tjetër klub i madh që rrezikon të eliminohet. Ndonëse e mposhti Cityn javën e kaluar dhe doli në zonën që dërgon në plejof, kampioni francez mund të eliminohet nëse mposhtet nga Stuttgarti.
Ndeshja me PSG-në është vendimtare edhe për Stuttgartin.
Kampioni në fuqi, Real Madridi, do të duhej të kënaqej me vend në plejof, ndonëse ka ende gjasa për kualifikim direkt në një të tetën e finales. Madridi mban vendin e 16-të me 12 pikë.
Në situatë të njëjtë janë edhe Bayerni, Juventusi dhe finalistja e vitit të kaluar, Borussia Dortmundi. Edhe këto skuadra i kanë nga 12 pikë.
Liga e Kampionëve, xhiroja e tetë (e fundit e fazës së ligës)
E mërkurë (21:00)
Aston Villa – Celtic
Barcelona – Atalanta
Bayer Leverkusen – Sparta Praga
Bayern – Slovan Bratislava
Brest – Real Madrid
Dinamo Zagreb – Milan
Dortmund – Shakhtar Donetsk
Girona – Arsenal
Inter – Monaco
Juventus – Benfica
Lille – Feyenoord
Manchester City – Club Brugge
PSV – Liverpool
Salzburg – Atletico Madrid
Sporting – Bologna
Sturm Graz – RB Leipzig
Stuttgart – PSG
Young Boys – Cërvena Zvezda