Dita niste herët në Paris. Destinacioni për gjithë anëtarët e delegacionit të Kosovës më 28 korrik ishte “Champ de Mars”, një arenë e përkohshme e ndërtuar gati nën hijen e Kullës së Eiffelit.
Që në orën tetë, radha ishte e gjatë për hyrje në arenë. Ajo ishte e mbushur plot ende pa nisur luftërat. Atmosfera, njëjtë si në gjithë turneun e xhudos në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, ishte kulmore.
Kosova po e priste medaljen e parë. Distria Krasniqi, kampionatë atëbotë në fuqi në kategorinë deri 48 kilogramë, po paraqitej në kategorinë deri 52 kilogramë.
Shoku i madh ndodhi që në xhiron e dytë, kur Diyora Keldiyorova e Uzbekistanit e mposhti favoriten absolute, japonezen Uta Abe.
E pandikuar nga zhvillimi i papritur, Distria po i përmbahej planit të saj. Rreshtoi fitoret dhe arriti deri në finale. Në finale e kishte përballë pikërisht Keldiyorovan, që përfundimisht ishte në ditën më të mirë të karrierës. Uzbekja mori të artë, e Distria të argjendtën.
Synimi i madh i Kosovës u arrit – u sigurua medalja olimpike në Paris. Synimin e arriti edhe kryemjeshtri Driton Kuka, por që natyrisht kërkonte shumë më tepër.
Distria, e mësuar me vend në podiumet e mëdha, duke përfshirë atë olimpik, e përballoi më lehtë në aspektin emocional suksesin për të cilin derdhi shumë djersë. Pas ceremonisë së pranimit të medaljes, u urua nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, derisa ende po ectë në skenë. Pati një përqafim të ngrohtë me presidenten e minuta më pas edhe me kryeministrin Albin Kurti, në hapësirën afër zonës ku rrinin xhudistët.
Pasuan fotografi të shumta, me të gjithë, dhe kryesisht me Kullën e Eiffelit në prapavi.
E hëna e 29 korrikut ishte e rezervuar për Nora e Akil Gjakovën. Nora po tentonte të mbronte titullin olimpik të fituar në Tokio tri vjet më herët. Por u ndal që në luftën e parë nga një mongole. Nora nuk e kishte sanuar ende një lëndim të rëndë që e kishte pësuar në shkurt dhe shfaqi fare pak nga potenciali i saj.
Ishte momenti i Akilit. Në kategorinë deri 73 kilogramë, që vlerësohet më e forta, ai rreshtoi fitore ndaj Daniel Cargnin të Brazilit, samuel Gassner të Austrisë dhe Manuel Lombardo të Italisë.
Arriti në gjysmëfinale. Në ndonjë sport tjetër gjysmëfinalja do të kuptonte medalje bronzi. Jo në xhudo.
Ndonëse luftoi mirë, Akili humbi gjysmëfinalen nga Hidayet Heydarov i Azerbajxhanit, që më pas fitoi të artën.
Kishte rast tjetër për medalje, tani të bronztë. Përballë e kishte një tjetër ikonë, japonezin Soichi Hashimoto. Edhe ndaj tij bëri luftë të madhe. Por lufta e barabartë megjithatë përfundoi në të mirë të japonezit.
Derisa i gjithë fokusi ishte te finalja, Akili po largohej nga zona ku përgatiten xhudistët. Po përjetonte moment të vështirë emocional. Sytë i kishte të mbushur me lot, i vetëdijshëm se sa afër i ishte afruar realizimit të ëndrrës – fitimit të medaljes olimpike.
Mbetja pa medalje ishte dëshpërim, por paraqitja në tatami i jepte krenari. E dinte që është i barabartë me gjithë ata që do ta ndanin podiumin.
Në këtë moment me shumë emocione, Akili foli për KOHËN.
“Paraqitjen në përgjithësi e kam pasur të mirë. Shortin e pata pak më të vështirë, gjatë rrugës kam hasur në kampionë botërorë e evropianë. Krahas paraqitjes së mirë, kam ardhur për medalje këtu. Asnjë rezultat tjetër s’më kënaq. Kthehemi në shtëpi e vazhdojmë tutje. Do të punoj më tepër për të realizuar ëndrrën. Synimi im është të kem gjitha medaljet e mundshme. Dy medalje më mungojnë me plotësu karrierën time si sportist, ajo botërore e olimpike. Kështu që do të vazhdojmë”, kishte thënë Akil Gjakova, para se të merrte autobusin për në Fshatin Olimpik.
Atje ishte edhe më i emocionuar. Kishte kohën e botës për të reflektuar për paraqitjen impresive dhe mungesën e fatit.
Realizimi i ëndrrës
Kohë për të “vajtuar” rastin e humbur nuk kishte kryemjeshtri Kuka.
Menjëherë më 30 korrik, të nesërmen, garonte Laura Fazliu, tjetër adut i madh për medalje.
Për Laurën, për dallim prej të tjerëve, ishte debutim në Lojëra Olimpike. E tejngarkuar emocionalisht, ajo nuk shfaqi më të mirën. Por niveli superior që e ka si garuese, falë punës së kryemjeshtrit Kuka, bëri që edhe në një ditë jo shumë të mirë të fitonte medaljen olimpike, të bronztë.
Në çerekfinale humbi nga legjenda e xhudos botërore, francezja Clarisse Agbegnenou. Në repesazh fitoi ndaj kanadezes Catherine Beauchemin-Pinard. Luftën vendimtare për medalje bronzi e fitoi me shumë mund ndaj kroates Katarina Krishto. Madje fillimisht u krijua ideja që Laura humbi. Por gjyqtari sinjalizoi veprim të gabuar të Krishtos dhe fitorja e festa e madhe ishte për Laurën. Ajo vrapoi për t’u përqafuar me Majlinda Kelmendin, që e udhëhoqi nga këndi i trajneres e më pas edhe me kryemjeshtrin Kuka, që po e këshillonte nga tribuna. Kishte zgjedhur një strategji të tilla për ta këshilluar vazhdimisht gjatë luftërave, që nuk i lejohet nga karrigeja e trajnerit.
Për Kukën ishte medalja e pestë olimpike. Ai po realizonte një ëndërr tjetër. Dhe këtë e përjetoi me lotë, sidomos derisa foli për KOHËN.
“Pesë medalje olimpike, është ëndërr. Kam përmbushur ëndrrën që të kem medalje aq sa janë rrathët olimpike”, deklaronte Kuka, që mezi nxjerrte fjalët nga goja.
Pas largimit nga arena, Laura ishte në një gjendje emocionale vështirë të përshkrueshme. Ishte disi e përhumbur. E pranonte se ende nuk është e vetëdijshme për suksesin që ka arritur, për ndikimin e tij në jetë. Për peshën e medaljes olimpike i fliste Flaka Loxha, xhudistja që shërbeu shumë në Paris, ndonëse nuk garoi.
Më 31 korrik i gjithë ekipi mund të reflektonte për suksesin e arritur, për dy medaljet në Paris dhe pesë medaljet nga tri Olimpiadat në të cilat Kosova ka garuar deri më tani.
Lotët e Lorit
Por gara e Kosovës në xhudo nuk kishte mbaruar. E rrjedhimisht as shfaqja e emocioneve të forta.
Më 1 gusht garoi Loriana Kuka. Ekipi e dinte që për Lorianën do të ishte gara e fundit në karrierë. Kryemjeshtri priste që këtë ta thoshte vetë Loriana, mbesa e tij. Ajo kishte lënë jetën në Zvicër për të vazhduar ëndrrën për suksese kulmore në xhudo, duke u vendosur në Pejë. Ka fituar medalje botërore e evropiane pas lëvizjes së bërë dhe e kishte rastin e fundit për medalje olimpike. Në Tokio nuk i ishte afruar asaj.
Shpresat për sukses të Lorianës nuk ishin të mëdha. Ajo nuk kishte pasur formën më të mirë në muajt e fundit para Olimpiadës. Fokusi, natyrisht ishte maksimal, ndonëse xhudistja e kategorisë deri 78 kilogramë po paraqitej me dy gjyjtë e lënduar.
Loriana nisi mire, me fitore ndaj sllovenes Metka Lobnik. Por ukrainasja Yelyzaveta Lytvynenko ishte e pakalueshme.
Loriana qau shumë derisa për KOHËN po e jepte lajmin se po e përfundonte karrierën si xhudiste. Ajo vendosi të kthehet në Zvicër për të vazhduar jetën, por pa xhudon si prioritet.
“Kam dashur të arrijë më shumë këtu. Kam dhënë maksimumin. Por nuk arrita shumë dhe normal jam e mërzitshme. Tri vjetët e fundit ishin shumë të vështira. Nuk më janrë ndarë lëndimet. Por jam shumë krenare me atë që kam arritur”, deklaronte Lori, derisa vazhdonte të fshinte lotët.
Me dy medalje, një vend të pestë që do të duhej të ishte medalje, dhe dy eliminime më të hershme përfundoi gara e xhudos për Kosovën në Paris.
Një tjetër ngjarje që për Kosovën është e suksesshme falë xhudos. Një tjetër vit që për sportin kosovar është i suksesshëm falë ekipit të xhudos. Nxënësit e kryemjeshtrit Kuka do të vazhdojnë të na japin emocione si ato në Paris.