Faza grupore e Ligës së Kampionëve 2024/25 ka përfunduar sipas formatit të ri të UEFA-s, i cili për herë të parë përdori sistem të ngjashëm me “Swiss League”. Në këtë sistem, 36 ekipe luajtën secila nga tetë ndeshje kundër kundërshtarëve të ndryshëm, pa ndarje në grupe.

Pas përfundimit të kësaj faze, tetë ekipet më të mira kaluan automatikisht në raundin e 1/8-ës, ndërsa ekipet e renditura nga vendi i nëntë deri në të 24-tin do të luajnë në plejof për të siguruar vend në fazën tjetër të eliminimit direkt.

Ekipet që kaluan direkt në raundin e 1/8-ës janë: Liverpool, Barcelona, Arsenal, Inter, Atletico Madrid, Bayer Leverkusen, Lille dhe Aston Villa.

Ndërkohë, ekipet që do të luajnë në fazën e plejofit janë: Atalanta, Borussia Dortmund, Real Madrid, Bayern, Milan, PSV, PSG, Benfica, Monaco, Brest, Feyenoord, Juventus, Celtic, Manchester City, Sporting dhe Club Brugge.

Shorti për fazën e plejofit do të hidhet më 31 janar (nesër) në Nyon. Do të ketë sistem të veçantë shorti ku ekipet e renditura në vendet 9-16 do të përballen me ekipet e renditura në vendet 17-24. Një nga përballjet më interesante pritet të jetë ajo mes Real Madridit ose Bayern Munich ndaj Manchester Cityt ose Celticut.

Përballjet e plejofit janë:

  • Monaco/Brest – PSG/Benfica (fituesi do të përballet me Liverpool ose Barcelona)
  • Sporting/Club Brugge – Atalanta/Borussia Dortmund (fituesi do të luajë me Lille ose Aston Villa)
  • Celtic/Manchester City – Real Madrid/Bayern(fituesi përballet me Atletico Madrid ose Bayer Leverkusen)
  • Feyenoord/Juventus – Milan/PSV (fituesi kundër Arsenal ose Inter)

*Shembull se si do të funksionojë shorti nesër: Monaco mund të përballet me njërin nga PSG-ja ose Benfica, ekipi që mbetet nga PSG-ja dhe Benfica luan me Brestin. Më pas do të ketë sërish short, ku do të përcaktohet se mes Liverpoolit dhe Barcelonës me kë do të përballet fituesi i Monaco – PSG. Ekipi që mbetet nga Liverpooli ose Barcelona, luan me fituesin e Brest – Benfica. 

Ndeshjet e para të plejofit do të zhvillohen më 11 dhe 12 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit më 18 dhe 19 shkurt. Raundi i 1/8-ës do të luhet më 4-5 dhe 11-12 mars.