Është dashur të jetë festë sportive finalja e Kupës së Federatës në volejboll. Por doli të jetë antireklama më e madhe e vitit në sportin kosovar. Pas ndeshjes së zhvilluar më 1 dhjetor në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, ndodhi një skenë e turpshme. Lojtarët e skuadrës humbëse, Besa nga Peja, lëshuan fushën e lojës dhe dolën në tribunën anësore ku nisën një sulm të rëndë fizik ndaj pak tifozëve që ishin në atë pjesë. U dhanë shumë grushte nga ana e lojtarëve, ndërsa është parë duke u përdorur edhe një shkop.

Pas incidentit të rëndë, e të pamenduar për sportin e volejbollit, lojtarët u kthyen dhe pranuan medaljet. Tre u arrestuan dhe qëndruan të mbyllur për 48 orë, ndërsa Federata i dënoi lojtarët me suspendim prej 1 deri në 10 vjet.

Një incident i tillë është i pakuptueshëm për volejboll, sportin pa kontakt, në të cilin rrjeta i ndanë dy ekipet.