Xherdan Shaqiri ka luajtur në ligat më të forta evropiane, ndërsa tani po paraqitet në Superligën e Zvicrës me Baselin. Sulmuesi kosovar po e udhëheq Baselin në garën për titull, ndërsa e vlerëson nivelin që ka Superliga zvicerane.
Shaqiri ka dhënë një intervistë për “bluewin” në të cilën ka folur kryesisht për ligën e Zvicrës.
Baseli, falë kontributit të madh të Shaqirit, është i dyti në tabelë dhe kandidat i fortë për titull të kampionit. Në edicionin e kaluar kishte luajtur në barazh për mbetje në Superligë.
Shaqiri është kthyer para pesë muajsh te Baseli.
“Jam shumë i lumtur që jam kthyer. Tani mund ta ndjekë ligën zvicerane nga afër dhe të paraqitem edhe vet në të”, ka thënë 33-vjeçari.
“Është shumë interesante, këtë vit po ashtu. Liga është shumë e mirë. Mendoj që edhe futbolli në Zvicër kabërë progres. Shumë klube janë lart në tabelë, ku nuk ishin për kohë të gjatë. Edhe klubet tjera kanë avancuar. Për këtë arsye shoh përparim në gjithë ligën”, ka thënë Shaqiri.
Kthimi i tij te Baseli u përcoll me eufori në Zvicër.
“Erdha te Baseli, tek ekipi i qytetit tim dhe natyrisht kam dashur të bëj dallimin këtu. Nuk kam pritur se do të ketë kaq shumë reagime. Por ky është futbolli. Ka shumë emocione dhe jam i lumtur që i ka dhënë shtytje edhe ligës”.
Shaqiri së fundi u “gradua” në kapiten të Baselit. Taulant Xhaka ishte kapiten, ndërsa tani është njëri prej dy zëvendës-kapitenëve. Jo të gjithë në Zvicër e kanë pranuar këtë lëvizje.
Trajneri i Baselit ka thënë se Shaqiri është bindshëm lojtari më me ndikim në skuadër dhe për këtë e ka bërë kapiten.
Shaqiri nuk ka folur për “detyrën” e re.
Jam shumë i lumtur që jam në gjendje të luaj sërish në stadiumet e Zvicrës dhe shpresoj se shumë njerëz do të vijnë”, ka thënë ai.
Lugano është kampion vjeshtor, ndërsa pos kësaj skuadre dhe Baselit titullin e synojnë edhe të paktën katër skuadra të tjera. Kjo e ka bërë garën shumë më interesante.
“Në vitet e fundit ishte shumë e qartë, Baseli, Young Boysi apo Zurichu kanë fituar. Tani është aty edhe Lugano, që ka përparuar shumë. Do të jetë garë e fortë deri në fund. Mezi pres të fillojë pjesa e dytë e kampionatit. Na presin ndeshje që vërtetë vlejnë”, ka thënë Shaqiri.
Në 14 paraqitje kampionale, ai ka realizuar pesë gola dhe ka bërë tetë asistime. Ishte prej më të mirëve në Superligën e Zvicrës në vjeshtë.
Te Baseli kaloi pasi u nda me skuadrën amerikane, Chicago Fire.