E stërmbushur ishte palestra “Shani Nushi” në Gjakovë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll mes Vëllaznimit dhe Bashkimit, e zhvilluar më 15 janar. Përkrahja për ekipin kuqezi ishte shumë e madhe, ndërsa nuk munguan as fyerjet ndaj ekipit prizrenas.
Vëllaznimi fitoi në fund me rezultat 80:71. Epërsinë prej nëntë pikëve e merr për ndeshjen e kthimit ndaj Bashkimit, që zhvillohet të enjten nga ora 18:30 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Sërish palestra pritet të jetë e stërmbushur. Këtë herë me tifozë prizrenas. Përkrahja për Bashkimin do të jetë e madhe, ndërsa nuk pritet të mungojnë as fyerjet ndaj ekipit gjakovar.
Bashkimi e Vëllaznimi kanë rivalitet të madh aktualisht. Tifozët edhe më shumë.
Këtë vit, ndeshja e parë mes Bashkimit dhe Vëllaznimit u zhvillua më 12 janar në Prizren. Pati telashe në tribuna dhe ndërprerje të ndeshjes për shumë minuta pas largimit të ekipit gjakovar nga parketi.
Një grup i vogël i tifozëve gjakovarë u sulmuan nga vendësit. Ndeshja megjithatë vazhdoi dhe u fitua 84:73 nga Bashkimi. Ishte ndeshje kampionale.
Ajo që ndodhi në Prizren, mobilizoi gjakovarët që e mbushën palestrën për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës. Ndeshja ishte shumë e fortë, ndërsa në aksionet e fundit Vëllaznimi bëri shkëputjen prej nëntë pikëve, që nuk është e vogël. Skuadra më e suksesshme pas dy takimeve avancon në finale.
“Nesër e kemi një ndeshje tejet të rëndësishme, për ne si skuadër dhe për qytetin në përgjithësi. Pritet rivalitet i madh mes dy ekipeve e dy qyteteve. Kemi epërsi prej nëntë pikëve nga ndeshja e parë, ndërsa Bashkimi ka përparësinë e terrenit vendës. Neve nuk na mbetet asgjë tjetër pos të japim maksimumin dhe të kualifikohemi në finale. Ka dy dekada që Vëllaznimi nuk ka luajtur në finale dhe tani kërkojmë ta përsërisim atë sukses”, ka thënë kapiteni i Vëllaznimit, Atik Koshi.
Pas 19 xhirove, Bashkimi është lider në Superligë me 33 pikë. Vëllaznimi është i pesti me 29 pikë.
Në fundjavë, gjakovarët pësuan 85:72 nga Bora në Prishtinë. Para asaj humbjeje kishin fitore ndaj Proton Cable Prizrenit dhe Trepçës.
Bashkimi në fundjavë e mposhti Golden Eagle Yllin në Suharekë me rezultat 70:60. Prizrenasit janë në seri prej pesë fitoreve në kampionat.
Në fillim të javës, Bashkimi doli me një thirrje publike për tifozët.
“Është dita kur duhet të tregojmë se sa e duam basketbollin, sa jemi unikë e kreativë dhe sa jemi pasionantë. Koha thërret për Prizrenin, kryeqytetin historik dhe të gjitha rrugët na çojnë te tempulli i basketbollit, te salla ‘Sezai Surroi’, ku do ta zhvillojmë ndeshjen kundër Vëllaznimit. Jemi vetëm një hap larg finales së Kupës dhe dy hapa larg lavdisë. Për rikthimin e rezultatit në favorin tonë dhe arritjen në finale, na duhet fryma e fitores, vullnet dhe brohorimat e tifozëve tanë të jashtëzakonshëm. Le ta mbushim sallën dhe ta ndezim atmosferën si kurrë më parë”, ka shkruar Bashkimi, ndër të tjera.