Trepça nuk e shfaqi së fundmi formën që e kishte gjatë shumicës së kohës në këtë edicion të Superligës së Kosovës në basketboll. Formë dukshëm më të dobët ka kaluar në xhirot e fundit Golden Eagle Ylli. Skuadra suharekase ka pësuar tri disfata të njëpasnjëshme, nga Vëllaznimi, Proton Cable Prizreni e Bora. Trepça në xhiron e fundit e humbi ndeshjen dramatike në Prizren nga Bashkimi.

Për shkak të formës së luhatshme në xhirot e fundit, ka ndryshuar edhe tabela e Superligës. Pas 15 xhirove, Trepça prinë me 26 pikë, me 11 fitore e katër humbje. Është afruar Bashkimi që tani ka dhjetë fitore e pesë humbje dhe ka 25 pikë në vendin e dytë.

Golden Eagle Ylli ka mbetur prapa, në vendin e gjashtë me 22 pikë, përkatësisht me bilanc prej shtatë fitoreve e tetë humbjeve, aq sa ka edhe Sigal Prishtina.

Në fundjavë, Trepça e Ylli shpresojnë të bëjnë hapin drejt kthimit në rrugën e sukseseve.

Të shtunën nga ora 17:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça e pret Yllin e Suharekës në hapje të xhiros së 16-të. Është ky derbi i kësaj xhiroje.

“Xehetarët” e dinë se u duhet fitorja në këtë ndeshje. Derbin e vlerësojnë të vështirë, pavarësisht renditjes në tabelë të kundërshtarit.

Shumë do të varet nga paraqitja e Drilon Hajrizit, që po e gjen ritmin pas mungesës së gjatë.

“Kam ardhur nga një periudhë e vështirë dhe ambientimi është më i vështirë se zakonisht. Si unë, ashtu edhe i gjithë grupi po punojmë fort për përgatitje sa më të mirë, para një ndeshjeje shumë të vështirë që e kemi. Të dyja skuadrat pretendojnë të kthehen te fitorja. Ne do ta kemi përkrahjen e tifozëve tanë. Shpresoj që e gjithë Mitrovica të jetë nesër në palestër, që bashkërisht, siç ia kemi dalë çdo herë të bashkuar, t’ia dalim edhe kësaj radhe me fitore”, ka thënë Hajrizi për KOHËN. Ai është njëri prej basketbollistëve më të mirë në Superligë.

Trepça në këtë ndeshje kthehet në “Minatori” pas një kohe shumë të gjatë. Në vjeshtë parketi në “Minatori” u rinovua e më pas Trepça nuk kishte ndeshje në këtë arenë.

Dy prej katër humbjeve të këtij edicioni, “xehetarët” i kanë në tri xhirot e fundit. U mposhtën nga Peja në “Karagaçi” në xhiron e 13-të dhe nga Bashkimi në “Sezai Surroi” të mërkurën.

Tek Ylli kanë thënë se fitorja u duhet për plasman sa më të mirë. Në të kundërtën, falë formës së mirë që ka kaluar Bora në xhirot e fundit, edhe pozita e gjashtë mund t’i rrezikohet ekipit suharekas.

“Jemi duke kaluar një kohë krize. Kemi pasur mjaft probleme me lëndime dhe mungesa për arsye të tjera. Por ne do të udhëtojmë në Mitrovicë për t’u ndeshur me ekipin më të mirë në ligë për momentin. Jemi të vetëdijshëm që vetëm me punë e angazhim maksimal mund të kthehemi te rezultatet pozitive. Kemi potencial të madh si ekip dhe në vazhdim do të tregojmë paraqitje më të mira, për të dëshmuar se jemi ekip serioz dhe kandidat për titull”, deklaroi kapiteni i Golden Eagle Yllit, Gëzim Morina.

Bora është në vendin e parafundit me 20 pikë, ndërsa 19 pikë ka Proton Cable Prizreni në vendin e fundit.

Xhiroja e 16-të mbyllet të dielën me tri ndeshje.

Dy prej tyre, Sigal Prishtina – Bora dhe Bashkimi – Vëllaznimi, nisin nga ora 17:00, ndërsa Peja – Proton Cable Prizreni luhet nga ora 19:00.

Peja dhe Vëllaznimi zënë pozitën e tretë e të katërt me nga tetë fitore e shtatë disfata.

Superliga në basketboll – XVI

E shtunë

Trepça – Golden Eagle Ylli (17:00)

E diel

Sigal Prishtina – Bora (17:00)

Bashkimi – Vëllaznimi (17:00)

Peja – Proton Cable Prizreni (19:00)