Bayer Leverkuseni e fitoi 2:0 ndeshjen e xhiros së fundit të fazës së ligës në “Champions” të mërkurën mbrëma ndaj Sparta Pragës.
Florian Wirtz dhe Nathan Tella shënuan për kampionin dhe fituesin e Kupës së Gjermanisë.
Granit Xhaka e kompletoi ndeshjen te Leverkuseni, ndërsa Qazim Laçi luajti deri në minutën e 85-t te mysafirët. Ermal Krasniqi u inkuadrua vetëm në minutën e 93-të.
Me pikët e plota, Leverkuseni e përfundoi fazën e parë të Ligës së Kampionëve në vendin e gjashtë dhe e siguroi avancimin direkt në 1/8 e finales, si skuadra e vetme gjermane me këtë të arritur.
“Ishte fitore bindëse. E dinim se duhej ta kontrollonim ndeshjen nga fillimi, por e rëndësishme ishte të kishim përqendrimin te vetja. Nuk ka rëndësi nëse shënon herët apo vonë. Vetëm pikët e plota kanë rëndësi”, ka deklaruar pas ndeshjes Xhaka për faqen zyrtare të Leverkusenit.
Ndeshja e radhës për Leverkusenin do të jetë të dielën në shtëpi përballë Hoffenheimit.