Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll nuk është në pozitë të mirë për kalim në raundin e dytë të parakualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror të vitit 2027.
Dy xhiro para mbylljes së këtij raundi kualifikues, Kosova është e fundit në Grupin A me pesë pikë, sa i ka edhe Azerbajxhani në vendin e tretë. Zvicra është e para me tetë pikë, ndërsa Irlanda e dyta me gjashtë. Zvicra ka fituar katër ndeshjet e deritashme, Irlanda ka dy fitore e dy humbje, ndërsa Azerbajxhani e Kosova kanë nga një fitore e tri humbje.
Fituesi i grupit avancon në raundin e dytë të parakualifikimeve, ndërsa kualifikohet edhe përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë prej tri grupeve sa janë gjithsej. Sa i takon grupit të Kosovës për kualifikim nga pozita e dytë nuk merren për bazë rezultatet me përfaqësuesen që mbetet e katërta.
Kosova të enjten nga ora 19:30 luan në Prishtinë ndaj Azerbajxhanit. Po në Prishtinë, të dielën, nga ora 19:30 është takimi Kosova – Zvicra.
Kosova nuk mund të dalë në vendin e parë në grup, por ka gjasa që të kualifikohet prej pozitës së dytë, përkatësisht si përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë. Për këtë i duhen dy fitore, kurse kualifikimi varet edhe nga rezultatet në grupet e tjera.
“Kosova nuk mund të kualifikohet si fituese e grupit, por ende mund të avancojë si përfaqësuesja më e ranguar e vendit të dytë”, shkruan FIBA në analizën e saj për gjasat e përfaqësueseve për kualifikim.
Në short Kosova ishte në vazon e dytë. Në vazon e parë ishte Zvicra, në të tretën Irlanda e përfaqësuesja e vetme në vazon e katërt ishte Azerbajxhani, i kthyer në basketbollin ndërkombëtar.
Kosova një vit më parë fitoi 83:76 ndaj Irlandës, ndërsa humbi 87:77 nga Azerbajxhani. Në nëntor Kosova pësoi humbje të thellë, 75:43, nga Zvicra, ndërsa humbi 91:85 edhe nga Irlanda.
Ka shumë kohë që Kosova nuk ka kaluar ndonjë raund parakualifikues, ndonëse basketbolli në vend vazhdon të jetë shumë atraktiv. Niveli i Superligës vlerësohet serioz, por përfaqësuesja vazhdon të vuajë në raundet më të hershme parakualifikuese.
“Këtë herë jemi të kompletuar. Na pret një ndeshje e vështirë kundër Azerbajxhanit. Do të japim maksimumin për fitore dhe t’i mbajmë gjallë shpresat për kualifikim tutje”, ka thënë basketbollisti Gëzim Morina.
Prej raundit të dytë të parakualifikimeve, përfaqësueset më të mira kalojnë në kualifikimet e rregullta. Rruga deri në Botëror është shumë e gjatë.