Akil Gjakova ka fituar për herë të tretë medalje në Grand Slamin e Parisit.
Të shtunën Akili fitoi medaljen e argjendtë. Ai shkëlqeu deri në finale në kategorinë me konkurrencën më të madhe, atë deri 73 kilogramë, dhe në fund zuri vend në shkallën e dytë më të lartë të podiumit.
Në luftë për medalje të artë Akilin e mposhti xhudisti i Uzbekistanit, Shakhram Ahadov. Prej tij i kishte edhe tri humbje më parë, dy prej të cilave po në Paris.
Lufta finale ishte shumë taktike, ndërsa u vendos me dënime. Të dy xhudistët më shumë janë kujdesur për të mos humbur. Akili kishte një aksion të rrezikshëm, ndërsa kundërshtari i tij, sipas gjyqtares, ishte pak më shumë aktiv. Akili e mori dënimin e tretë për pasivitet në kohën shtesë.
Të artën në Paris, 29-vjeçari Gjakova e fitoi në vitin 2018. Vjet e fitoi medaljen e argjendtë.
Ai u kthye me sukses në kryeqendrën franceze, ku ishte renditur i pesti në Lojërat Olimpike më 27 korrik të vitit të kaluar. Prej atëherë nuk ka garuar.
Akil Gjakova ishte bartësi i katërt në kategorinë deri 78 kilogramë. Ahadov ishte i treti.
Fillimisht Akili e mposhti francezin Jean Peter. Ndaj tij fitoi me Ippon, përkatësisht me hedhje shumë të bukur. Fitore bindshëm më e vlefshme ishte ajo ndaj japonezit Shusuke Uchimura. Ndaj tij po ashtu fitoi me Ippon të bukur, pasi fillimisht realizoi “Yuko”.
Në luftën e tretë Akili e mposhti Rashid Mammadaliyevin e Azerbajxhanit. Ndaj tij realizoi “Yuko”, që në fund doli të jetë vendimtare. Mammadaliyev ishte bartësi i pestë.
Luftë gjigantësh ishte gjysmëfinalja me italianin Manuel Lombardo, bartësin e parë. Ndaj tij realizoi uazari dhe më pas menaxhoi luftën deri në fund. Me Lombardon ka tani katër fitore e një humbje. E mposhti edhe në Evropianin e hapur në Prishtinë në dhjetor të vitit 2023 dhe në çerekfinale të Lojërave Olimpike, vitin e kaluar.
Me suksesin në Grand Slamin e Parisit, Akil Gjakova i fitoi edhe 700 pikë në ranglistën botërore
Në kategorinë deri 73 kilogramë garuan plot 35 xhudistë. Medalja e argjendtë është sukses i madh për xhudistin kosovar.