Arsenali ka barazuar në udhëtim te Manchester Unitedi në derbin e xhiros së 28-të të Premier Leagues dhe thuajse ka “shuar ëndrrat” në “Teatrin e Ëndrrave”.
Ndeshja e zhvilluar të dielën mbrëma përfundoi 1:1.
Liverpooli tani prin i vetëm në tabelë me 70 pikë, me 15 më shumë se Arsenali i vendit të dytë që e ka një ndeshje më pak të luajtur.
Unitedi i 14-ti ka 34 pikë dhe është shumë larg pozitave që dërgojnë në kupat evropiane për edicionin e ardhshëm.
Ndeshja ishte e hapur dhe me shumë raste shënimi, por të parët që kaluan në epërsi ishin “djajtë e kuq”.
Kapiteni Bruno Fernandes realizoi supergol nga goditja e dënimit, në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë.
Declan Rice në minutën e 74-t shënoi për rezultatin 1:1, i cili nuk ndryshoi deri në fund, pavarësisht rasteve të shumta.
Deri në fund të kampanjës, Arsenali do t’i ketë edhe dhjetë ndeshje për t’i luajtur.