Kampioni i Japonisë, Vissel Kobe, ishte favorit i madh ndaj skuadrës jugkoreane, Gwangju, në një të tetën e finales në Ligën e Kampionëve të Azisë. Vissel Kobe e fitoi 2:0 ndeshjen e parë, por në ndeshjen e dytë, të zhvilluar të mërkurën në Kore të Jugut, në skenë doli Jasir Asani.

Ai shënoi dy gola për ta udhëhequr Gwangjun drejt çerekfinales. Është ky sukses shumë i madh për skuadrën debutuese në Ligën e Kampionëve të Azisë.

Asani shënoi penallti në minutën e 85-të për 2:0 dhe për të dërguar ndeshjen në vazhdime. Ndërkohë në minutën e 118-të shënoi supergol për kualifikimin historik të Gwangjus.

Asani tani i ka nëntë gola në Championsin aziatik. Është golashënuesi më i mirë së bashku me Anderson Lopes të Yokohamas.

“Ishte ndeshje e fortë, por jam shumë i lumtur pasi është emocionale të fitosh 3:0 në shtëpi”, ka thën Asani.

“Nuk kam fjetur për dy netë. Kam menduar për ndeshje, pasi ishte e rëndësishme për ne”, ka shtuar reprezentuesi i Shqipërisë.

Në çerekfinale janë tri skuadra nga Arabia Saudite, një nga Katari, dy nga Japonia, një nga Korea e Jugut dhe një nga Tajlanda.