Pas një sezoni zhgënjyes nën drejtimin e Xavi Hernandez, Hansi Flick ka sjellë një ndryshim të madh te Barcelona, duke e çuar ekipin në krye të La Ligës, në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit dhe në fazën e 1/16-tës së Ligës së Kampionëve kundër Benficës. Me një kalendar të ngjeshur, duke nisur me sfidën ndaj Real Sociedad, Flick konfirmoi se do të bëjë ndryshime në formacion për të ruajtur freskinë e skuadrës. “Jemi në tre kompeticione dhe do të luftojmë për tre trofe. Kur filloi sezoni, askush nuk e priste këtë, por ekipi po bën një punë të shkëlqyer,” deklaroi trajneri gjerman.
Megjithatë, Barcelona është përballur me një tjetër shqetësim, pasi Andreas Christensen ka pësuar një dëmtim të ri gjatë stërvitjes dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Real Sociedad. Danezi, i cili ishte jashtë fushave për muaj të tërë pas një dëmtimi në Akill, sapo ishte gati për rikthim, por u dëmtua sërish. “Shpresojmë që dëmtimi të mos jetë serioz,” tha Flick, ndërsa Barcelona vazhdon betejën në tre fronte, me synimin për të rikthyer lavdinë e munguar.