Kampioni në fuqi i Kosovës në futboll, Ballkani, ka bërë hap prapa në garën për titull. 
Ballkani i drejtuar nga trajneri Orges Shehu u mposht të dielën në udhëtim nga Malisheva me rezultatin 3:1.

Kjo ndeshje i takoi javës së 22-të të elitës së futbollit kosovar. 
Vendësit kaluan të parët në epërsi me golin që e shënoi Arlind Veliu në minutën e 23-të. 
Mysafirët shifrat i barazuan në minutën e 37-të. 
Geralb Smajli realizoi për 1:1. 
Për 2:1 shënoi Drilon Hazrollaj në minutën e 70-të. 
Golin përfundimtar e realizoi Altin Aliu në minutën e 91-të. 
Ballkani nga minuta e 87-të ishte me një futbollist më pak në fushë pasi Bernard Karrica u ndëshkua me karton të kuq. 
Skuadra nga Suhareka mbetet në vendin e dytë me 37 pikë. 
37 pikë i ka edhe Malisheva në pozitën e tretë.