Fenerbahçe i është afruar në katër pikë Galatasarayt në garën për titull të kampionit në Turqi pas fitores ndaj Antalyasporit me rezultat 3:0. Ndeshja Fenerbahçe – Antalyaspor u zhvillua të dielën dhe i takoi javës së 26-të të Superligës së Turqisë.

Të dielën luajti edhe Galatasaray që u ndal në barazim 3:3 me Kasimpashan.

Tre golat e fitores, Fenerbahçe i shënoi në pjesën e parë. Në minutën e nëntë për 1:0 realizoi Mert Muldur, kurse golin e dytë e shënoi Dushan Tadiq në minutën e 26-të. Golin e tretë për skuadrën e drejtuar nga Jose Mourinho e shënoi Youssef En-Nesyri në minutën e 30-të. Amar Gërxhaliu i Kosovës mbeti në bankën e rezervistëve tek Antalyaspori.

Fenerbahçe është në vendin e dytë. Nga 25 ndeshje ka fituar 61 pikë, kurse Galatasaray që zë vendin e parë ka fituar 65 pikë. Antalyaspori është në vendin e 12-të me 30 pikë.