Skuadra e Barcelonës të shtunën mbrëma u përball me një lajm të rëndë. Para fillimit të ndeshjes ndërmjet Barcelonës dhe Osasunas e cila ishte paraparë të luhej nga ora 21:00, u bë e ditur se ka vdekur doktori i ekipit të parë të gjigantit katalunas, Carles Minarro Garcia.

U vendos që ajo ndeshje të shtyhet.

E gjithë skuadra e Barçës po kalon kohë të vështirë dhe futbollistët janë jashtëzakonisht të prekur emocionalisht për vdekjen e doktorit, Garcia.

Trajneri i Barçës, Hansi Flick, deklaroi të hënën se vdekja e Garcias është humbje shumë e madhe për gjithë skuadrën.

“Është një humbje e madhe. Ai ishte një person i mirë dhe një mjek i mirë. Ai ishte shumë i dashur për ekipin,  ishte një pjesë thelbësore e ekipit tonë që do të na mungojë shumë”, ka thënë Flick në konferencë për shtyp.

Barça të martën nga ora 18:45 do të përballet me Benficën në ndeshjen e kthimit të një të tetës së finales së “Championsit”.

Barcelona e fitoi ndeshjen e parë në Lisbonë me rezultatin 1:0 edhe pse për më shumë se 70 minuta luajti me një futbollist më pak në fushë.

Flick theksoi se ndeshja do t’i dedikohet ish-doktorit, Garcia.

“Ne jemi shumë të përqendruar dhe duam të luajmë për të. Në këtë situatë është shumë e rëndësishme të fitojmë për të. Ne jemi gati për të”, shtoi Flick.