Ajo është njëra nga skitaret më të mira në botë, por ka garuar gjatë gjithë dimrit pa pasur sponsor kryesor. Bëhet fjalë për 33-vjeçaren Lara Gut-Behrami.
Si është e mundur kjo?
Edhe në garën e saj të fundit për këtë stinor, atë të sllallomit të madh në Sun Valley të SHBA-së të martën, pjesa e përparme e helmetës së Gut-Behramit mbeti pa ndonjë mbishkrim. Edhe më pas, gjatë intervistave të shumta, Gut-Behrami, nuk prezantoi ndonjë sponsor.
Menaxheri i saj, Alexandre Ahr, ka deklaruar gjithmonë se nuk duan të komentojnë publikisht për këtë çështje. Diego Zuger, drejtues i Federatës së Skijimit të Zvicrës, thotë: “Ne si federatë jemi të lumtur të mbështesim dhe të ndihmojmë me negociata, për të gjithë sportistët. Kur gjërat të bëhen konkrete ne gjithsesi do të përfshihemi”.
Është fakt që Gut-Behrami kërkon sponsor që i përshtatet asaj. Në të njëjtën kohë skitarja zvicerane e di vlerën e saj dhe nuk pranon secilën ofertë. Sipas informatave të “Blick”, ajo mori shumë prej gjashtë shifrash gjatë dymbëdhjetë vjetëve bashkëpunim me “Ragusa”. Rrjedhimisht nuk ka shumë kompani që mund ta përballojnë vendosjen e logos së tyre në helmetën e skitares Gut-Behrami.
“Do të dëshironim të vazhdonim me Lara Gut-Behrami. Fatkeqësisht nuk gjetëm gjuhë të përbashkët gjatë diskutimeve”, ka thënë Jessica Herschkowitz, udhëheqëse e komunikimit në fabrikën e çokollatës, Camille Bloch.
Bashkëpunimin me Gut-Behramin e bën më të vështirë fakti se ajo shmang plotësisht mediet sociale. Për shumë sponsorë potencialë, rrjetet sociale janë domosdoshmëri për të rënë në syrin e publikut.
Prapë, nuk ka arsye për brengë për Gut-Behramin. Skitarët më pak të njohur varen nga të ardhurat nga reklama në helmetë, por jo edhe Gut-Behrami. Ajo fitoi 356 mijë e 190 franga këtë dimër nga suksesi në gara. Vjet fitoi 574 mijë e 200 franga, kurse fituesja e globit të kristaltë në Super-G merr bonuse nga kompania e saj e skive “Head” dhe nga federata zvicerane e skijimit.
Gut-Behrami, bashkëshortja e ish-futbollistit Valon Behrami, ka përfunduar edicionin 2024/2025 të skijimit alpin shumë fuqishëm. Fitoi garën e fundit të kupës së botës në Super-G, e të martën triumfoi edhe në sllallom të madh. Me fitoren e së martës në SHBA skitarja për herë të 100-të zuri vend në podium në garat e Kupës së Botës. Vetëm pesë skitare kanë arritur këtë shifër më parë. Gut-Behrami i ka 48 fitore në serinë e garave kryesore të skijimit. Ajo u bë po ashtu skitarja e parë që ka nga të paktën dhjetë fitore në tri disiplina të ndryshme. Ka dhjetë fitore në sllallom të madh, 13 në lëshim dhe 24 në Super-G.
Italiania Federica Brignone është fituese e përgjithshme e edicionit në Kupën e Botës për skitare. Gut-Behrami është e dyta. Ajo ka fituar globin e vogël për trium në disiplinën Super-G.