Sulmuesi kosovar, Mirlind Daku, shënoi dy golat e fitores për Rubin Kazanin të dielën. Rubin Kazani e mposhti 2:1 Spartak Moskën, në xhiron e 20-të të kampionatit të Rusisë në futboll.

Reprezentuesi i Shqipërisë megjithatë e la fushën në minutën e 75-të. Ai u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Pas një ndërprerje, Daku kapi topin dhe nuk ia dha lojtarit të Spartakut, Alexis Duarte. Duarte insistoi për ta marrë topin që po e shmangte Daku dhe e rrëzoi sulmuesin duke e kapur nga prapa. Arbitri i ndëshkoi të dy lojtarët me karton të verdhë dhe pasi të dy e kishin nga një karton, i përjashtoi.
Daku më pas është vërsulur në drejtim të arbitrit, por u ndal nga bashkëlojtarët që t’i afrohet atij. Madje ndërhyri edhe trajneri i Rubin Kazanit për ta qetësuar. Rrugës për në zhveshtore e goditi me dorë një tripod të kamerës.

Daku mund të dënohet për sjelljet që i kishte pas përjashtimit. Këtë e ka bërë të ditur Artur Grigoryants, udhëheqës i Komitetit për Kontroll dhe Disiplinë në Federatën e Futbollit të Rusisë. Ai ka konfirmuar se ndaj sulmuesit kanë nisur hetimet.

“Ne do të shqyrtojmë sjelljet josportive të Dakut, i cili pas përjashtimit goditi tripodin e kameramanit derisa po largohej nga fusha. Përjashtimi nuk do të shqyrtohet, pasi ai ishte për kartonin e dytë të verdhë”, ka thënë Grigoryants për RIA Novosti.

Ka pasur reagime të ndryshme në Rusi për kartonin e Dakut.

Trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov ka theksuar se arbitri Kirill Levnikov ka mundur ta shmangë kartonin e dytë për sulmuesin.

“Ka shumë situata të tilla në lojë kur lojtari merr topin në duar. Ai nuk ka vrapuar me top në dorë.

Mendoj se nuk është dashur të ndëshkohet me karton”, ka thënë Rakhimov. Ai ka vlerësuar paraqitjen e Dakut, duke thënë se ka punuar shumë dhe ka shënuar dy golat e fitores.

27-vjeçari këtë edicion i ka 11 gola e pesë asistime në 19 paraqitje në kampionatin rus. Edicionin e kaluar i kishte dhjetë gola e katër asistime në 28 paraqitje.

Ish-futbollisti i CSKA Moskës, Oleg Kornaukhov, ka thënë se Daku është përjashtuar sipas rregulloreve, por ka shtuar se asnjëherë në të kaluarën nuk ka parë një përjashtim të tillë në kampionatin rus.

Dakun e ka lavdëruar Dejan Stankoviq, ish-futbollisti i njohur serb, tani trajner te Spartaku.

“Daku është djalosh i shkëlqyer, vetëm mund ta lavdëroj atë. Ai është lojtar i talentuar, i fortë. Ai e mban topin shumë mirë, por më duhet të analizojë më mirë veprimet e lojtarëve të mi”, ka thënë Stankoviq.

Te Rubin Kazani janë edhe disa futbollistë të tjerë shqiptarë.