“Pas plot 29 vjetësh”, përgjigjet Jeronimo Sharin kur pyetet se pas sa kohësh ka fituar Vëllaznimi i Gjakovës trofe.

Ishte viti 1996 kur skuadra gjakovare e fitoi Kupën e Kosovës në basketboll. Kupën e kishte fituar edhe në vitin 1992, ndërsa nuk ka titull të kampionit të Kosovës.

Prej të enjtes, Vëllaznimi është kampion në Ligën Unike në basketboll. Edicioni i zbehtë i ligës së përbashkët të Kosovës e Shqipërisë kishte fund dramatik. Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, Vëllaznimi e mposhti në finale Sigal Prishtinën pas vazhdimit prej pesë minutave. Skuadra gjakovare fitoi me rezultat 91:88.

Në gjysmëfinale, të mërkurën, Vëllaznimi fitoi me një pikë dallim ndaj Golden Eagle Yllit. Fazën grupore e përfundoi në vendin e parë në Grupin A, para Besëlidhjes së Lezhës, Bashkimit të Prizrenit dhe Teutës së Durrësit.

“Kishte fishekzjarrë mbrëmë në Gjakovë, këngë e festë. Njerëzit kanë qarë nga gëzimi. Vëllaznimi do të thotë shumë për gjithë Gjakovën. Në çdo qytet në Kosovë lidhja me klubin është shumë e fortë. Por në Gjakovë kjo është më e veçantë. Kjo energji shumë pozitive u bart te lojtarët dhe te të gjithë ne. Dhe rezultati nuk mungoi”, ka thënë Jeronimo Sharin të premten për KOHËN.

Trajneri kroat mori drejtimin e Vëllaznimit pak xhiro pasi nisi edicioni. Prej fillimit është shquar për punën që e ka bërë. Ndonëse pa shumë vendorë, e pa asnjë emër të madh të basketbollit kosovar, Vëllaznimi u shfaq pozitivisht në Superligë dhe tani mund të mburret që është fitues i Ligës Unike.

“Nuk është i madh dallimi. Klubi rival ka buxhet 5-6 herë më të madh se klubi ynë”, thotë Sharin duke qeshur, pasi pyetet se si ia dolën ta mposhtin Prishtinën, që buxhetin e ka dukshëm më të madh se klubi gjakovar.

Por cili është sekreti i suksesit të Vëllaznimit, që solli festë për tifozët pasionantë dhe gjithë Gjakovën?

“Sekreti i suksesit është raporti shumë i shëndoshë mes udhëheqësisë së klubit dhe shtabit teknik. Edhe lojtarët janë të duhurit. Kanë shkuar disa lojtarë të mirë, por erdhën disa edhe më të mirë. Lidhja mes lojtarëve është shumë e mirë, të gjithë janë me karakter të duhur. Por nuk ka të bëjë vetëm me ekipin. Ka të bëjë me presidentin, kryesinë, lojtarët, shtabin teknik dhe natyrisht edhe tifozët. Të gjithë kemi funksionuar dhe funksionojmë si një trup i vetëm. Kjo mendoj se është gjëja më e rëndësishme”, ka shtuar Sharin.

Ai në Kosovë ka drejtuar edhe Sigal Prishtinën, Bashkimin e Pejën.

“Lidhja që klubi ka me qytetin, nuk e kam parë te asnjë klub ku kam punuar. Është disi e veçantë. Unë po e shijoj maksimalisht kohën në Gjakovë. Më vjen mirë që mora vendimin të vij këtu. Uroj që kjo atmosferë vetëm të vazhdojë”, ka thënë 51-vjeçari nga Shibeniku.

Vëllaznimi menjëherë në fundjavë i kthehet garës në Superligën e Kosovës. Sharin është më i matur për garën kampionale.

“Nuk mund të mos e përmendim që na janë mohuar katër fitore së fundi. Nuk dua të hyj në detaje se si ndodhi kjo e kush është fajtori. Por është fakt që kemi katër fitore më pak se që realisht e kemi merituar t’i kemi. Me katër fitore plus do të ishim në pozitë shumë të mirë për të startuar në plejof nga gjysmëfinalja, nga pozita e parë apo e dytë. Por është kështu si është dhe tani na mbetet të kërkojmë suksesin maksimal të mundshëm. Është e vërtetë po ashtu që kemi bankë më të shkurtër se ekipet e tjera. Por natyrisht do të vazhdojmë garën”, ka thënë Sharin.

Janë katër të huaj punëtorë e katër vendorë po ashtu shumë punëtorë, në të cilët kryesisht llogarit Sharini. Jericole Hellemes, Jason Jitoboh, Trey Anderson e Antwan Walker janë të huajt e Vëllaznimit. Ata janë përshtatur shumë mirë me vendorët kokulur e kontribuues të mëdhenj: Atik Koshi, Don Polloshka, Arian Azemi e Arbër Sinani.

Vëllaznimi në Superligë është i pesti. Deri në fund janë edhe tri xhiro.

Ky ishte edicioni i katërt i Ligës Unike. Golden Eagle Ylli, Peja e Trepça janë fituesit e mëparshëm.