Një tjetër lojtar nga Kosova është përcjellë nga përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll.

Bëhet fjalë për mbrojtësin e krahut të majtë, Dion Gallapeni, ka mësuar KOHA të martën nga burime të afërta me lojtarin e Prishtinës.

“Për Dionin ka interesim nga Shqipëria. Ai është përcjellë nga Sylvinho. Por Dioni është i fokusuar tek e ardhmja në klub”, ka thënë për KOHËN një familjar i Gallapenit, në kushte anonimiteti.

20-vjeçari luan për përfaqësuesen U21 të Kosovës, që drejtohet nga Afrim Tovërlani.

Gallapeni në janar ishte në një grumbullim që selektori i Kosovës A, Franco Foda, e mbajti me futbollistët me potencial që të bashkohen me përfaqësuese.

“Është ndjenjë e veçantë të jesh pjesë e këtij grumbullimi. Është vetëm dita e dytë e grumbullimit, jemi duke punuar me intensitet shumë të lartë ku po mundohemi të kuptojmë sa më shumë nga filozofia e trajnerit. Do të vazhdoj të punoj për të qenë në të ardhmen pjesë e kombëtares A”, pati thënë Gallapeni gjatë grumbullimit në Prishtinë.

Në grumbullim me Kosovën në janar ishte edhe kapiteni i Kosovës U21, Etnik Brruti. Por ai vendosi të paraqitet për Shqipërinë në të ardhmen. Pritet të përfshihet në listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet e këtij muaji.

Shqipëria më 21 mars luan ndaj Anglisë në “Wembley”, derisa tri ditë më vonë e pret Andorrën në “Arenën Kombëtare” në Tiranë. Dy ndeshjet i takojnë kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2026.

Vendimi i Brrutit që të kalojë te Shqipëria u përcoll me reagime të shumta. Madje kishte edhe fjalë e komente fyese ndaj mesfushorit të Malishevës. Nuk është hera e parë që lojtarë kalojnë nga Kosova te Shqipëria.

Dy federatat e futbollit, e Kosovës dhe e Shqipërisë, nuk janë deklaruar për këtë lëvizje që pritet të konfirmohet të premten.