Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu, pranon vështirësitë në të cilat ka kaluar ekipi i tij gjatë fillimit të edicionit 2024/2025 të Superligës së Kosovës në futboll.
Por ai thotë se falë organizimit të mirë dhe mbështetjes së madhe nga tifozët “Skifterat”, Gjilani është përmirësuar ndjeshëm gjatë vazhdimit të kampionatit.
“Ndryshimet duan kohë. Skuadra një vit më herët kalonte një situatë të vështirë, por falë organizimit nga tifo-grupi ‘Skifterat’, marrja e klubit nga donatorët e klubit në krye me Fatlum Pirevën dhe donatorët e tjerë, gjithashtu dhe drejtori gjeneral Syart Rrahmani, arritëm të stabilizojmë gjendjen e skuadrës”, tha Nuhiu për KOHËN të dielën.
Gjilani nuk kishte ecuri të mirë të rezultateve në fillim të edicionit. Tani është në vendin e katërt me 31 pikë. Është vetëm gjashtë pikë prapa Malishevës që mban vendin e tretë, pozitë që siguron daljen në Evropë.
Nuhiu beson në projektin trevjeçar të Gjilanit.
“Kemi vuajtur shumë në pjesën e parë të kampionatit, por ishim të bindur që gjërat do të përmirësohen sepse gjithçka po funksiononte në mënyrë profesionale. Falënderoj për durimin dhe mbështetjen. E ndienim besimin e tyre te puna jonë dhe kualiteti i lojtarëve”, është shprehur Nuhiu.
Trajneri shkupjan përgëzon lojtarët për ngritje të nivelit.
“Kualiteti, profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre po ndryshon gjendjen e skuadrës. Futbolli kërkon vazhdimësi të rezultateve pozitive. Faza e dytë është më e mirë për ne, por kemi ende shumë punë për të bërë me skuadrën. E duam Evropën të gjithë. Do të punojmë fort për ta arritur, po nuk jemi vetëm në këtë garë. Do të sakrifikojmë gjithçka për të arritur qëllimet”, ka thënë trajneri 46-vjeçar.
Nuhiu në të kaluarën ka drejtuar me sukses Dritën. Me skuadrën rivale të Gjilanit e fitoi titullin e kampionit në vitin 2020.
Gjilani të shtunën fitoi në udhëtim ndaj Suharekës me rezultatin 2:1.