Presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Dominique Blanc, ka folur për ndeshjen që Shqipëria e luajti ndaj Zvicrës në “Euro 2016” më 11 qershor të vitit 2016 në Lens të Francës.
Zvicera e pati fituar 1:0 ndeshjen kundër Shqipërisë. Për Zvicrën u paraqitën nga minuta e parë plot pesë lojtarë shqiptarë. Në fushë ishin Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi. Kapiteni Lorik Cana ishte ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 36-të.
“Do të thosha se historia më interesante që kam me futbollin shqiptar ishte ndeshja e famshme me Zvicrën në vitin 2016 në Francë, ku Kombëtarja juaj mori pjesë për herë të parë në finalet e një Europiani. Një ndeshje fantastike në Lens të Francës mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Nuk duhet të harrojmë se kemi shumë shqiptarë që jetojnë në Zvicër. Në atë ndeshje në fushë me Zvicrën kishte lojtarë me origjinë shqiptare. Ndeshja ishte e një niveli shumë të lartë, kishte edhe shumë emocione. Dhe kjo është miqësia që futbolli na ofroi asokohe”, theksoi Dominique Blanc gjatë takimit që pati në selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Shqipëria dhe Zvicra ishin takuar edhe gjashtë herë. Vetëm një herë janë ndarë baras. Të tjerat ndeshje i fitoi Zvicra, kundërshtarja e Kosovës për kualifikimet e Kupës së Botës të vitit 2026.
Ndeshja Zvicër – Kosovë luhet më 5 shtator, kurse ajo e kthimit në Prishtinë më 18 nëntor.