Zgjedhja e Etnik Brrutit për ta përfaqësuar Shqipërinë në të ardhmen është përcjellë me shumë kritika në Kosovë.

Kapiteni i Kosovës U21 mori vendimin të shtunën që në të ardhmen ta përfaqësojë fanellën “kuqezi”.

Pati reagime të ndryshme të shtunën, ndërsa një postim në llogarinë e tij në Facebook, e ka shkruar babai i Etnikut, Besnik Brruti, një ditë më pas. 

“Tradhtarë janë të gjithë ata që i thonë tradhti mbrojtjes së flamurit të Adem Jasharit, Zahirit, Agimit e të gjithë dëshmorëve të rënë për liri! Biri im ka marrë një vendim që buron nga bindjet e tij dhe dashuria për kombin. Ai nuk e ka refuzuar Kosovën, por ka zgjedhur të luajë për kombëtaren shqiptare, për flamurin me të cilin i kemi mbështjellë dëshmorët tanë. Kjo nuk është tradhti, por besnikëri ndaj idealit për të cilin kemi luftuar. Të gjithë ata që sot e gjykojnë duhet ta dinë se askush nuk mund të na japë leksione për atdhedashuri dhe sakrificë për Kosovën. Askush nuk ka të drejtë të vërë në dyshim vendimin e Brrutit, i cili me zemër dhe shpirt po ndjek rrugën e tij, duke mbrojtur vlerat kombëtare. Për ne, Kosova dhe Shqipëria nuk ndahen, sepse jemi një komb, një gjak dhe një histori!”, ka shkruar babai i Etnikut, Besniku.