Ikona e futbollit, Ronaldo, ka bërë të ditur se është tërhequr nga gara për t’u bërë president i Federatës së Futbollit të Brazilit. Ronaldo e mori vendimin pasi dështoi të sigurojë përkrahje të mjaftueshme nga federatat regjionale për ta prezantuar kandidaturën e tij.
48-vjeçari, që ka dy tituj të botës me Brazilin, kishte njoftuar për synimin që të kandidojë për president në dhjetor, ndërsa kishte premtuar se “do të angazhohej për të kthyer respektin që Brazili gjithnjë ka pasur në botë”.
Por ish-sulmuesi i Barcelonës, Interit dhe Real Madridit erdhi në përfundim se nuk mund të sfidojë presidentin aktual, Ednaldo Rodrigues, që ka përkrahjen e thuajse të gjithë atyre që votojnë.
“Në kontaktin e parë me 27 federata regjionale, gjeta 23 dyer të mbyllura. Nëse shumica e atyre që vendosin besojnë se futbolli i Brazilit është në duar të mira, nuk ka rëndësi se çka unë mendoj”, ka thënë Ronaldo.