Jadon Sancho është duke e kaluar sezonin e parë te skuadra e Chelseat.

Në 27 ndeshjet e zhvilluara deri më tani sulmuesi anglez ka kontribuar me dy gola dhe gjashtë asistime.

24-vjeçari Sancho te Chelsea u transferua në verën e vitit të kaluar në formë huazimi nga skuadra tjetër angleze, Manchester United.

Chelsea e ka edhe opsionin e blerjes së kartonit të Sanchos.

Sancho ka deklaruar se është shumë i lumtur që luan te skuadra e drejtuar nga trajneri Enzo Maresca.

“Jam vërtet i lumtur që luaj futboll te Chelsea. Maresca na bën të ndihemi si në shtëpinë tonë. Nuk është e lehtë për lojtarët ta thonë këtë. Jemi një familje e madhe. Djemtë janë shumë të mirë dhe çdo ditë është argëtuese për ne”, ka thënë Sancho, shkruajnë të hënën mediumet angleze.

Chelsea të dielën e mposhti Leicester Cityn me rezultatin 1:0 në ndeshjen që i takoi javës së 28-të të Premier Leagues.

Chelsea ka 49 pikë dhe renditet në pozitën e katërt.

Ndeshjen e radhës klubi londinez e ka të enjten në Ligën e Konferencës.

Chelsea e pret Copenhagenin nga ora 21:00 në ndeshjen e kthimit të një të tetës së finales së “Conference Leagues”.

Ndeshjen e parë, Chelsea e fitoi me rezultatin 2:1.