Shqipëria e Serbia janë në një grup në kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit 2026 në futboll.

“Kuqezinjtë” kualifikimet i nisin më 21 mars, kur takohen me Anglinë në “Wembley”. Ndërkohë, më 24 mars, Shqipëria e pret Andorrën në “Arenën Kombëtare”, në Tiranë.

Shqipëria e luan në shtëpi edhe ndeshjen e tretë të kualifikimeve për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada. Më 7 qershor do të përballet me Serbinë.

Për Serbinë ndeshja në Tiranë do të jetë e para e kualifikimeve. Më 20 e 23 mars, Serbia luan me Austrinë, në plejofin e Ligës së Kombeve të UEFA-s. Dhe për këtë arsye kualifikimet i fillon në qershor.

Ndeshja Shqipëri – Serbi do të jetë shumë e rëndësishme për të dy përfaqësueset. Pritet të zhvillohet nën masa të rrepta të sigurisë, ndërsa të dy ekipet pritet të jenë të ngarkuara emocionalisht më shumë se për ndeshjet e tjera.

Së fundi për ndeshjen në Tiranë foli Stevan Stojanoviq, drejtor i përfaqësueses A të Serbisë. Në një intervistë të gjatë për sajtin zyrtar të federatës serbe, ai është pyetur edhe për ndeshjen Shqipëri – Serbi.

“Sërish në fillim ndoshta testi më i madh dhe më i vështirë. Nëse fitojmë në Tiranë, hapim dyert fillimisht për barazh. Mbesim optimist, në futboll asnjëherë nuk mund të thuhet për asgjë se do të jetë e sigurt. Kemi dëshirë dhe motiv dhe jam i sigurt se kemi edhe kualitet. Shkojmë atje që të provojmë të fitojmë, të marrim rezultat të favorshëm dhe t’i nisim kualifikimet në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Stojanoviq.

Shqipëria luan dy ndeshje me Letoninë, më 10 qershor në Riga dhe më 9 shtator në Tiranë, para se ta zhvillojë ndeshjen në udhëtim ndaj Serbisë. Ndeshja Serbi – Shqipëri është më 11 tetor, por nuk është saktësuar ende se në cilin qytet do të zhvillohet.

Shqipëria e Serbia janë përballur në kualifikimet për “Euro 2016”. Ndeshja në Beograd, më 14 tetor 2014, u ndërpre pasi huliganët dhe lojtarët serbë sulmuan lojtarët e Shqipërisë. Ajo ndeshje në fund ishte regjistruar me rezultatin 3:0 në të mirë të Shqipërisë.

Më 8 tetor 2015 në Elbasan, Serbia kishte fituar 2:0 ndaj Shqipërisë. Dy golat serbët i kishin shënuar pas minutës së 90-të. Ndeshja ishte zhvilluar në masa shumë të rrepta të sigurisë dhe nuk u ka ngjarë ndeshjeve të zakonshme të kuqezinjve. Atmosfera, për shkak të masave, ishte shumë e zbehtë, dhe kjo kishte ndikimin në paraqitjen në fushën e blertë. Shqipëria ishte kualifikuar në Evropian, ndërsa Serbia kishte mbetur e parafundit në grup.