Derbi i Madridit është në qendër të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve. Ndeshjet e para luhen të martën e të mërkurën.
Dhe Atletico Madridi është në pozicion komandues që të përpiqet t’i japë fund dominimit të rivalit, Real Madrid, në kompeticionet evropiane.
Real Madridi, që ka 15 tituj të Evropës, ka qenë i pakalueshëm për Atleticon në Ligën e Kampionëve për shumë vjet. Reali e ka mposhtur rivalin e madh të qytetit në dy finale të Championsit dhe e ka eliminuar dy herë të tjera në fazën nokaut.
Por Atletico Madridi do të paraqitet të martën mbrëma në “Santiago Bernabeu” për ndeshjen e parë, në ndoshta formën më të mirë prejse drejtimin e skuadrës e mori Diego Simeone, mbi një dekadë më parë. Tek Atletico kanë besimin se mund ta kalojnë Realin në këtë fazë të garës.
Një e teta e finales ofron shumë ndeshje të mëdha, në edicionin e parë të Championsit me format të ri. Faza grupore u zëvendësua me fazë të ligës, ndërsa u shtua edhe raundi i plejofit i fazës nokaut.
Me interesim pritet edhe përballja gjermane mes Bayern Munichut e Bayer Leverkusenit, si dhe ajo mes PSG-së dhe Liverpoolit.
Të martën megjithatë tifozët e futbollit do ta kenë fokusin te ndeshja në Madrid.
Atletico Madridi po kalon formë të mirë dhe po e shijon njërin prej edicioneve më të mira me Simeonen në stol. Është para Real Madridit në La Liga dhe vetëm një pikë prapa lideres Barcelona.
Për më tepër, Atletico Madridi nuk e ka humbur asnjë ndeshje këtë edicion me Realin dhe Barcelonën. Në ligë fitoi 2:1 ndaj Barçës në udhëtim dhe luajti dy herë 1:1 me Realin. Nga rivali i qytetit, Atletico nuk ka humbur në katër ndeshjet e fundit, ndërsa e ka eliminuar në Kupën e Mbretit edicionin e kaluar.
“Kur zgjidhni të bëheni trajner, ju dëshironi të luani me kundërshtarët më të fortë dhe të garoni në secilën garë me qëllim për të fituar”, ka thënë Simeone.
Ekipi i tij përfundoi i pesti në fazën e ligës në Champions, derisa Real Madridi ishte vetëm i njëmbëdhjeti dhe është dashur ta eliminojë Manchester Cityn në fazën e plejofit.
Për herë të fundit dy skuadrat madrilene ishin përballur në Champions në vitin 2017. Atletico ishte eliminuar në gjysmëfinale. Po ashtu Reali fitoi finalet ndaj Atleticos në vitet 2014 e 2016 dhe e eliminoi në çerekfinalen e vitit 2015.
Në përgjithësi, Atletico fitoi vetëm tri prej dhjetë ndeshjeve me Realin në garat e UEFA-s. Ka pësuar pesë humbje dhe dy ndeshje përfunduan baras.
Real Madridi në fundjavë humbi nga Real Betisi në La Liga, ndërsa Atletico fitoi 1:0 ndaj Athletic Bilbaos.
Ndeshja në “Santiago Bernabeu” zhvillohet nga ora 21:00.
PSG – Liverpool
Lideri i Premier Leagues, Liverpooli, përfundoi fazën e ligës në Champions në vendin e parë. Por mori pak shpërblim për këtë, pasi do të përballet me gjigantin francez PSG në një të tetën e finales në Ligën e Kampionëve.
Ndeshja e parë është të mërkurën prej orës 21:00, në “Parkun e Princave”, në Paris.
Parisi ka vuajtur në fazën e ligës, duke përfunduar vetëm në vendin e 15-të. Por gjeti ritmin në fazën e plejofit, duke e mposhtur Brestin fillimisht 3:0 e më pas 7:0.
Liverpooli i ka fituar shtatë prej tetë ndeshjeve në Champions këtë edicion. Humbja e vetme ishte ajo e xhiros së fundit të fazës së ligës nga PSV-ja, kur tashmë e kishte të sigurt vendin e parë.
Liverpooli po shkëlqen në Premier League, por tani ka përballë skuadrën që nuk ka asnjë humbje në kampionatin vendor, atë të Francës.
Benfica – Barcelona
Barcelona është lidere në La Liga dhe ishte e dyta në fazën e ligës në Champions. Është në moment të mirë, ndërsa do të përballet me Benfican në një të tetën e finales. Benfica është kundërshtare e njohur për Barçën.
Dy skuadrat u përballën në fazën e ligës, ndërsa Barcelona e fitoi 5:4 ndeshjen e mahnitshme në Lisbonë.
Benfica e mposhti 3:0 Barcelonën në fazën grupore në edicionin 2021/2022, ndërsa e mbajti në barazim pa gola në ndeshjen, në Spanjë. Ai rezultat e la Barcelonën pa avancim në fazën nokaut.
Benfica e Barcelona e luajnë ndeshjen e parë të mërkurën, nga ora 21:00, në “Estadio da Luz”, në Lisbonë.
Bayern Munich – Bayer Leverkusen
Derbi gjerman i një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve do të vërë përballë Bayer Leverkusenin, që përfundoi i gjashti në fazën e ligës dhe Bayernin, ekipi që i është dashur goli në minutat shtesë nga Alphonso Davies për ta eliminuar Celticun në plejof.
Në Bundesligë, Bayerni i ka tetë pikë më shumë se kampioni në fuqi, Leverkuseni. Por bavarezët nuk e kishin asnjë goditje në portë kur dy skuadrat u takuan muajin e kaluar. Ajo ndeshje e Bundesligës u dominua plotësisht nga Leverkuseni, por megjithatë përfundoi 0:0.
“Allianz Arena” në Munih është arena e përballjes së parë, të mërkurën nga ora 21:00.
Përballjet e tjera
Finalisti i edicionit të kaluar, Borussia Dortmundi, do të takohet me Lillen, që kishte fazë të suksesshme të ligës. Skuadra franceze përfundoi e shtata, ndërsa arriti fitore ndaj Real Madridit dhe Atletico Madridit.
Aston Villa po ashtu ishte befasi e fazës së ligës. E pësoi vetëm një humbje dhe u rendit e teta. Do të përballet me Club Brugge, që e mposhti skuadrën angleze 1:0 në nëntor. Ekipi belg e eliminoi Atalantan në plejof.
Interi, që e pësoi vetëm një gol në fazën e ligës, në humbjen 1:0 nga Leverkuseni, do të përballet me Feyenoordin. Robin van Persie është trajneri i tretë i kësaj skuadre në Champions, në këtë edicion.