Me golin e shënuar nga Julian Alvarez, Atletico Madridi e mposhti të shtunën mbrëma Athletic Bilbaon me rezultatin 1:0.

Kjo ndeshje i takoi javës së 26-të të La Ligas.

Trajneri i Atleticos, Diego Simeone, ka kërkuar nga futbollistët që ta lënë pas fitoren ndaj Bilbaos dhe të përqendrohen në ndeshjen ndaj Real Madridit.

Atletico të martën nga ora 21:00 do të jetë mysafir i Realit në ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve.

Ndeshja e kthimit do të luhet më 12 mars.

Atletico e Reali janë duke zhvilluar garë të ashpër edhe për titull kampioni në elitën e futbollit spanjoll.

“Ne kemi një lojë të madhe në Ligën e Kampionëve dhe për momentin duhet të përqendrohemi në këtë ndeshje dhe të pushojmë mirë gjatë këtyre tri ditëve. Si trajner më pëlqen modestia e futbollistëve dhe shkathtësia e tyre”, ka thënë Simeone, shkruan të dielën “Reuters”.