Chelsea që është favorit në Ligën e Konferencës ka shënuar fitore 2:1 në udhëtim te Copenhageni të enjten mbrëma, në ndeshjen e parë të një të tetës së finales.
Pasi nuk e regjistroi asnjë gjuajtje në kornizën e portës në pjesën e parë, skuadra e drejtuar nga Enzo Maresca kaloi në epërsi dy minuta pasi nisi pjesa e dytë.
Kapiteni Reece James e mposhti portierin Diant Ramaj. Jamesi realizoi me gjuajtje të saktë prej afro 28 metrave.
Copenhageni për pak sa nuk i barazoi shifrat me Viktor Claessonin që e qëlloi shtyllën, dhe topi u kthye në duart e portierit Robert Sanchez.
Ramaj u mposht edhe një herë tjetër në minutën e 65-të. Kësaj radhe realizues ishte Enzo Fernandez.
Gabriel Pereira e shënoi golin e fundit në ndeshje, dhjetë minuta para fundit.
Ndeshja kthyese luhet pas një jave në ‘Stamford Bridge”.
Fituesi i këtij ballafaqimi luan në çerekfinale ndaj Moldes apo Legias së Varshavës.