Trajneri i Manchester Unitedit, Ruben Amorim, ka reaguar ndaj sulmuesit legjendar të kësaj skuadre, Wayne Rooney, që i cilësoi ambiciet e portugezit për ta fituar titullin në Premier League si “naive”.
Unitedi vazhdon të dëshpërojë me rezultate. Të dielën u eliminua edhe nga Kupa FA, trofe të cilin e fitoi një vit më parë. Portieri i Fulhamit, Bernd Leno, priti penalltitë e Victor Lindelofit dhe Joshua Zirkzees për të siguruar kualifikimin e skuadrës së tij.
Dhe pas eliminimit, trajneri i Unitedit, Ruben Amorim, theksoi se synimi i tij i vërtetë është të bëhet kampion i ligës angleze.
Rooney ka dhënë kritika për këtë deklaratë të Amorimit, duke thënë se kjo nuk do të ndodhë deri në kohën kur top-lojtarë të kenë sërish dëshirë të firmosin me Manchester Unitedin. Rooney është legjendë e Unitedit, ndërsa i ka 253 gola të shënuar për “djajtë e kuq”.
Në një përgjigje për Rooneyn, i cili u shkarkua nga posti i trajnerit të Plymouthit në dhjetor, Amorim shpërtheu: “Unë nuk jam naiv. E dimë se jemi në kohë të vështirë. E dija këtë para se të vija dhe e di këtë edhe tani. Ndoshta kjo është arsyeja pse jam trajner i Manchester Unitedit në moshën 40-vjeçare”.
Portugezi ka vazhduar duke thënë se është lehtë të analizosh gjërat nga studiot televizive.
“Është vërtet e lehtë të jesh analist. Isha analist për një kohë në Portugali dhe e di që është gjë e lehtë. Të gjithë i dinë të gjitha. Të fitojmë ligën me këtë klub është qëllimi. Të jesh ‘naiv’ do të thotë të mendohet se do ta bëjmë këtë në edicionin aktual, apo që do të jemi pretendenti kryesor në edicionin e ardhshëm”.
Shpërthimi i Amorimit ndaj Rooneyt nuk është i pari i kësaj natyre. Brenda tri ditëve ai ka reaguar dy herë ndaj legjendave të Manchester Unitedit.
Tekniku portugez iu përgjigj Roy Keanet të premten për kritikat e ish-kapitenit ndaj kapitenit aktual, Bruno Fernandes. Amorim tha se “mendimi im është më i rëndësishëm”.
Analisti televiziv, Ronney, sulmoi Amorimin për deklaratën se “qëllimi është fitimi i Premier Leagues”.
Sulmuesi ikonik i Unitedit tha: “Është pak naive të thuash se po kërkojnë ta fitojnë Premier Leaguan.
Janë shumë larg kësaj. Nëse unë luaj në një skuadër tjetër dhe Manchester Unitedi më kërkon, unë do të mendoj se ‘nuk jam i sigurt’. Lojtarët kryesorë duan Ligën e Kampionëve. Unitedi ishte në tranzicion kur unë firmosa. Dhe arsye e madhe që unë u transferova ishte Sir Alex Ferguson. E dinim që ai do t’i bënte gjërat si duhet dhe do ta ndërtonte ekipin përsëri. Është e vështirë të shohësh këtë tani”.
Amorim u emërua trajner i Unitedit më 1 nëntor, pas shkarkimit të Erik ten Hag. Holandezi u shkarkua pesë muaj pasi e fitoi Kupën FA. Ish-trajneri i Sportingut të Lisbonës, Amorim, ka humbur dhjetë prej 24 ndeshjeve në krye të skuadrës së madhe angleze. Ten Hag i kishte dhjetë humbje kur e arriti shifrën e 55 ndeshjeve në krye të Unitedit.
Në Premier League, Manchester Unitedi është vetëm i 14-ti me 33 pikë. Liverpooli i vendit të parë ka dyfish më shumë pikë, 67.