Selektori i Anglisë në futboll, Thomas Tuchel, nuk ka dyshime për cilësitë e mbrojtësit të krahut të djathtë, Reece James.
25-vjeçari James realizoi gol të bukur nga goditja e dënimit të hënën mbrëma në fitoren 3:0 ndaj Letonisë, në ndeshjen që i takoi kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Tuchel deklaroi pas ndeshjes se James po kalon formë të shkëlqyer.
“Nuk mund të ketë asnjë dyshim për cilësitë e Jamesit. Ai është futbollist i nivelit të lartë. Ne e kishim të qartë se ai do të stërvitej pa pushim dhe nëse nuk do të luante, do të ishte zgjedhje e klubit për ta mbrojtur atë nga lëndimet. Unë i njoh cilësitë që i ka Jamesi. Ai ka çdo të drejtë të jetë i lumtur dhe krenar për paraqitjen e tij. Ai është në formë të shkëlqyer”, ka thënë Tuchel.
James është kapiten i skuadrës së Chelseat.
Këtë edicion në 14 ndeshjet e zhvilluara ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asistim.