Selektori i Anglisë në futboll, Thomas Tuchel, ka kërkuar që FIFA të riprogramojë ndeshjet e përfaqësueseve në qershor. Sipas trajnerit të njohur gjerman, ndeshjet e qershorit me përfaqësuese ua pamundësojnë lojtarëve që të kenë pushim më të gjatë në fund të edicionit shumë të ngarkuar.
“Ndeshjet ndërkombëtare të qershorit nuk janë ideale për askënd, sidomos për lojtarët”, ka thënë Tuchel.
“Është FIFA që mund të ndryshojë kalendarin dhe të gjejë një periudhë tjetër për këto ndeshje, për të mirën e lojtarëve”.
Ndeshjet e qershorit zhvillohen në fund të edicionit në ligat evropiane. Pasi të përfundojnë obligimet me klube shumë prej lojtarëve i kalojnë edhe disa ditë me stërvitje e ndeshje të përfaqësueseve. Edhe në të kaluarën ka pasur zëra që këto ndeshje të anulohen.
Kur ka ngjarje madhore, Evropian apo Botëror, lojtarët e kanë të pamundur të pushojnë në javët e para të verës për shkak të këtyre ndeshjeve. Ndërkohë në vitet kur nuk ka ngjarje, si 2025, pushimin mes dy edicioneve e kanë shumë më të shkurtër.
“Nuk jam shumë i brengosur për numrin e ndeshjeve që lojtarët i luajnë. Jam më shumë i brengosur që lojtarët nuk kanë kurrë pushim të vërtetë prej try apo katër javësh. Ky është problemi”, ka shtuar Tuchel.
Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, pranoi shqetësimet për mirërqenien e lojtarëve, por tha se situata duket e menaxhueshme me mbështetjen e klubeve dhe trajnerëve.
“Ka argumente nga këndvështrimi i klubeve, që ka të bëj me gjenerimin e më shumë parave. Por është edhe çështja e mirëqenies së lojtarëve, përkatësisht ngarkesa shtesë dhe rritja e mundësisë për lëndime”, ka thënë Kane. “Nuk mendoj se lojtarët dëgjohen shumë. Mua më pëlqen të luaj futboll dhe nuk do të ankohem asnjëherë që luaj futboll. Nëse e menaxhoni mirë, me trajnerët dhe klubet tuaja, ka mënyrë për të pushuar më shumë në momente të caktuara”, ka vazhduar kapiteni anglez.
Anglia më 7 qershor luan ndeshje kualifikuese për Botëror në Andorrë e më 10 qershor luan miqësore me Senegalin në Nottingham. Në fillim të qershorit, ndër të tjera, luhet turneu final i Ligës së Kombeve. Do të ketë edhe shumë ndeshje kualifikuese për Botëror e po ashtu shumë miqësore.