Pas tri humbjeve radhazi, skuadra e Atalantas është kthyer te fitorja në elitën e futbollit italian.
Atalanta të dielën e mposhti në shtëpi Bolognan me rezultatin 2:0 në ndeshjen që ishte e vlefshme për xhiron e 32-të të Serie A.
Ndërkohë për Bolognan ishte disfata e parë pas shtatë ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat.
Qendërsulmuesi italian, Mateo Retegui, ishte më meritori në fitoren e Atalantas pasi regjistroi një gol e një asistim.
Retegui e realizoi golin e parë në minutën e tretë kurse asistimin e bëri te goli përfundimtar që e shënoi Mario Pasaliq në minutën e 21-të.
25-vjeçari Retegui është edhe golashënuesi më i mirë deri më tani në kampionatin italian. Në 30 ndeshjet e zhvilluara, Retegui, ka realizuar 23 gola.
Tek Atalanta ndeshjen e kompletoi kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti.
Atalanta renditet në pozitën e tretë me 61 pikë.
Bologna ka katër pikë më pak dhe është në zonën që siguron garat evropiane për edicionin e ardhshëm.