Portieri i Milanit, Mike Maignan, nuk do të jetë në gjendje të stërvitet për një javë për shkak të tronditjes që e pësoi në ndeshjen e kaluar.

Maignan kishte një përplasje të ashpër kokë më kokë me bashkëlojtarin e tij, Alex Jimenez, në ndeshjen e xhiros së kaluar të Serie A ndaj Udineses.

Francezit për pak minuta i hupi vetëdija. Por në spital u dërgua kur kishte vetëdije.

Më pas janë bërë teste të detajuara dhe të gjitha rezultatet dolën mirë.

Mediumet italiane kanë raportuar se 29-vjeçari Maignan do t’i mungojë Milanit në ndeshjen e ardhshme në Serie A ndaj Atalantas.

Ndeshja zhvillohet më 20 prill dhe i takon javës së 33-të.

Te “kuqezinjtë” shpresojnë që Maignani do të jetë i gatshëm për ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Italisë ndaj Interit, që zhvillohet të mërkurën e javës së ardhshme.

Maignani i mbron ngjyrat e gjigantit italian nga vitit 2021 kur u transferua nga Lille për 16 milionë euro.

Ai është portieri kryesor i Milanit dhe i përfaqësueses së Francës.