Dukagjini e Suhareka e kanë zhvilluar të martën ndeshjen e parë të xhiros së 29-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja në Klinë nuk dha fitues. Përfundoi 1:1.
Pika është e rëndësishme për të dy skuadrat në garën për ekzistencë.
Dukagjini është i shtati me 36 pikë, ndërsa Suhareka mbetet e nënta, përkatësisht e parafundit, me 33 pikë. 33 pikë i ka edhe Llapi në vendin e tetë.
Mevlan Zeka kaloi në epërsi 1:0 Suharekën në minutën e dhjetë. Për 1:1 shënoi Faton Neziri në minutën e 20-të. Në fakt goli ishte më shumë “meritë” e portierit të Suharekës, Eurolind Avdimetaj. Për shkak të erës, një top plotësisht i parrezikshëm e kaloi shtatlartin dhe përfundoi në rrjetë.
Shifrat më nuk ndryshuan dhe kështu të dy skuadrat lëshuan pikë të rëndësishme.
Të mërkurën janë ndeshjet Llapi – Feronikeli dhe Ferizaj – Malisheva. Të enjten luhen takimet Ballkani – Gjilani, Drita – Prishtina.