Kampioni botëror, Max Verstappen, e la prapa fillimin e zbehtë të stinorit në Formula 1, për të fituar për herë të katërt rresht në Grand Prix të Japonisë, të dielën. 

Për Verstappenin është fitorja e parë në edicionin 2025 të Formula 1.

Verstappen, që është ngasës i Red Bullit, e shënoi fitoren e 64-t në karrierë. 

Lideri i F1, Lando Norris i McLarenit, përfundoi i dyti. Gara u zhvillua para 115 mijë shikuesve.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur. Kjo fundjavë nisi mjaft vështirë, por ne nuk u dorëzuam. Vazhduam ta përmirësojmë veturën. Sot ishte në formën më të mirë”, ka thënë Verstappen, që është ngasësi i parë me katër fitore rresht në shtegun në Suzuka.

Norris tani ka vetëm një pikë më shumë se Verstappen në renditjen e pilotëve.

“Maxi bëri një garë të mirë sot, pa gabime”, tha Norris.

Oscar Piastri, që po ashtu është ngasës i McLarenit, përfundoi i treti.