Golden Eagle Ylli e ka barazuar në 1:1 rezultatin në serinë çerekfinale të plejofit ndaj Pejës.

Ylli fitoi të dielën në palestrën “Karagaçi” në Pejë me rezultatin 75:66.

Ndeshja e tretë dhe vendimtare e çerekfinales së plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll do të zhvillohet të enjten, por duhet të vendoset në cilin qytet.

Ylli të enjten e kaluar humbi në shtëpi nga Peja me rezultat 77:71. Por reagoi të dielën dhe e ktheu përparësinë e terrenit vendas.

Megjithatë ndeshje e tretë nuk zhvillohet në Suharekë. Për shkak të problemeve në ndeshjen e parë, Ylli është dënuar që tri ndeshjet e ardhshme si vendas t’iu luajë jashtë palestrës së tij.

Në ndeshjen e së dielës, Ylli e ftoi 19:18 çerekun e parë, ndërsa shkëputjen e madhe e bëri në të dytin, të cilin e fitoi 19:9.

Pas 20 minutave lojë rezultati ishte 38:27 për suharekasit.

Peja rriti presionin në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 20:17. Në këtë çerek pejanët u afruan në pesë pikë, 52:47, por Ylli u shkëput sërish në 55:47. Në çerekun e katërt skuadra vendase u afrua në 73:66, por suharekasit me përvojë mbajtën epërsi për fund të qetë të takimit.

Jalen Nesbitt shkëlqeu tek Ylli me 14 pikë e 11 kërcime. Jan Palokaj i kishte 20 pikë e katër asistime. Derrick Wilson dha kontribut të madh me 13 pikë, gjashtë asistime e pesë topa të rrëmbyer. Te Peja u dallua Amin Hot me 22 pikë e gjashtë kërcime. Darryl Morsell i kishte 16 pikë, katër kërcime e tri asistime. Tulio Da Silva i shënoi vetëm pesë pikë, por i bëri 12 kërcime.

Fituesi i kësaj çerekfinaleje në gjysmëfinale përballet me Bashkimin.

Në çerekfinalen tjetër përballen Sigal Prishtina e Vëllaznimi. Edhe në atë seri rezultati është 1:1.