Finalja e Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Real Madridit do të luhet më 26 prill me fillim nga ora 22:00 në ‘Estadio de La Cartuja’, ka konfirmuar Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF).
Barcelona dhe Real Madridi do të luajnë për një titull të ri pas dy javësh. Në këtë rast, do të jetë finalja e Kupës së Mbretit, në të cilën të dy ekipet arrijnë me urinë e madhe për ta fituar.
Dita ishte e njohur, stadiumi ishte i njohur – La Cartuja në Sevilla, por koha në të cilën do të luhet finalja nuk ishte ende e ditur.
Tani, RFEF ka konfirmuar përmes një postimi në uebsajtin e tyre zyrtar se takimi do të nis me fillim nga ora 22:00.
Kjo do të jetë e vetmja ndeshje në Spanjë që do të luhet këtë ditë, pasi liga spanjolle e ka rezervuar vikendin për Kupën e Mbretit, me përjashtim të ndeshjes Villarreal-Espanyol e cila ishte shtyrë.
Kështu, Barcelona dhe Real Madridi do të përballen me njëra-tjetrën në finale e dytë të sezonit, pasi blaugranasit fituan ndaj madrilenëve në finale të Superkupës së Spanjës.
Vlen gjithashtu të kujtohet se këto dy ekipe do të takohen sërish pas finales, sepse ndonëse nuk është konfirmuar ende, pritet që ndeshja në kampionat mes dy ekipeve të luhet të dielën e 11 majit.