Drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka folur të hënën në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes me Kosovën.
Zvicra e Kosova përballen të premten në Basel, në nismë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Tami është pyetur për vendimin e Leon Avdullahut për të luajtur për Kosovën e jo për Zvicrën. Ka thënë se kalimi i lojtarëve në përfaqësuese të tjera nuk është diçka e re.
“Kjo nuk është temë e re. Do të shohim të bëjmë më shumë në të ardhmen, Gjithnjë mund të bëjmë më mirë. Mbi 70 për qind e lojtarëve tanë kanë shtetësi të dyfishtë, kështu që jo të gjithë ata mund të luajnë për ekipin nacional senior. Menaxhmenti ynë vazhdimisht viziton lojtarët në klubet e tyre. Por ka kritere për lojtarët tanë. Lojtari duhet të jetë mjaftueshëm i mirë për ekipin tonë. Kriteri i dytë janë vlerat e tij. Lojtari duhet të dëshirojë të luajë për Zvicrën. I treti është durimi. Ndoshta ka shumë konkurrencë për atë pozitë për momentin dhe të duhet më shumë durim. Nëse ndonjëri nga këto kritere nuk plotësohet, atëherë ndoshta më së miri është të ndahen rrugët. Ne respektojmë vendimin e tij”, ka thënë Tami.
Avdullahu ka luajtur për të rinjtë e Zvicrës dhe pritej të ftohej te Zvicra A. Por vendosi për Kosovën dhe u bashkua të hënën me përfaqësuesen. Të premten pritet të debutojë pikërisht ndaj Zvicrës.
Tami ka lënë të kuptohet se më të mirët ende vendosin për Zvicrën.
“Përgjatë 20 vjetëve të fundit kemi humbur lojtarë te përfaqësuese të tjera. Por sa prej tyre do të shtonin vlera në përfaqësuesen tonë seniore? Një apo dy. Ndoshta tre. Por nuk kemi humbur shumë lojtarë në përfaqësuese të tjera”, ka thënë drejtori i përfaqësueses zvicerane.
Ai ka thënë se secili rast është i ndryshëm. Ka theksuar se ndonjëherë familja ka shumë ndikim.
“Avdullahu e fitoi kampionatin me Baselin dhe bëri lëvizje të mirë. Gjithsesi kemi shumë opsione. Por është e qartë se duhet të analizojmë”, ka thënë Tami lidhur me largimin e lojtarëve për në përfaqësuese tjera.
Ai është pyetur nëse Zvicra shpreson që këto lëvizje të bllokohen nga FIFA. Ka thënë se Franca e Gjermania do të ishin vendet e para të interesuara për të ndryshuar rregullat. Por shansat janë shumë të vogla, ka thënë Tami, për shkak se shumë vende nuk dëshirojnë ndryshimin e rregullave.





























