Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, e ka humbur edhe ndeshjen e dytë në “FIBA Europe Cup” nga PAOK-u grek, ndërsa e pësoi disfatën e katërt në po aq ndeshje të luajtura.

Ndryshe ishte ndeshja e zhvilluar të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, në krahasim me duelin e parë të zhvilluar në Greqi.

Trepça humbi 77:75, por sfida ishte dramatike dhe u vendos vetëm në sekondat e fundit.

Mitrovicasit pjesën e parë e mbyllën me epërsi prej një pike 38:37. Periudha e parë u mbyll 16:16, ndërsa Trepça e fitoi të dytin 22:21.

Mysafirët e fituan çerekun e tretë 20:16, ndërsa periudha e fundit e vendosi fituesin e ballafaqimit.

Trepça siguroi epërsinë me një pikë dallim 73:72, 2 minuta para fundit, me treshen e shënuar nga Batin Tuna.

Por më pas vendësit bënë disa gabime në fazën e sulmit, e që u shfrytëzua nga basketbollistët e PAOK-ut të cilët fituan me dy pikë dallim. Pikët e fundit për 77:76 te Trepça i shënoi JaCori Payne.

Payne provoi edhe për tri pikë në aksionin e fundit. Nuk realizoi dhe dueli u mbyll 77:75.

Ndeshjen e parë në Greqi, PAOK-u e fitoi 85:74.

Trepça humbi më pas në shtëpi edhe nga Braunschweigu gjerman me rezultatin 84:70 dhe nga Anwili polak, 97:87.

Ekipi nga Greqia tani ka tri fitore e një humbje në Grupin F.

Dy ballafaqimet e fundit të stinorit të rregullt të “FIBA Europe Cup”, Trepça i luan në udhëtim.

Më 12 nëntor luan ndaj Braunschweigut, ndërsa më 19 tetor ballafaqohet me Anwilin.