Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Patrick Dorgu, pësoi lëndim të rëndë të dielën në ndeshjen ndaj Arsenalit. Unitedi e fitoi derbin 3:2, kurse Dorgu ishte njëri prej realizatorëve.

Ai u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 81-të.

Mediumet angleze kanë shkruar të martën se Dorgu ka lëndim në pjesën e pasme të kofshës. Ai pritet të mungojë rreth dhjetë javë.

Dorgu do t’i mungojë Unitedit në tetë ndeshjet e ardhshme.

21-vjeçari pritet t’i mungojë edhe Përfaqësueses së Danimarkës në ndeshjet e plejofit për kualifikim në Kupën Botës.

Danimarka në gjysmëfinale të plejofit do të përballet me Maqedoninë e Veriut. Nëse e fiton atë ndeshje, në finalen e plejofit do të përballet me fituesin e ndeshjes Çeki – Irlandë.

Mësohet se Dorgu në fushë mund të kthehet më 11 prill.

Mbrojtësi i krahut të majtë iu bashkua “Djajve të Kuq” vitin e kaluar nga Lecce për 30 milionë euro.