Drenica ka fituar pas një kohe të gjatë në elitën e futbollit të Kosovës dhe pikët e plota i kanë ndihmuar të ngjitet për një pozitë në tabelë. 

Drenica e ndali ecurinë e tri fitoreve rresht të Gjilanit të shtunën në kuadër të xhiros së 24-t të Superligës, pas fitores 1:0.

Ndeshja u luajt në terrenin me bar sintetik në Gjilan, ndërsa golin e fitores e shënoi Kreshnik Uka nga penalltia, në minutën e 22-të. 

Ndërhyrja e Sabit Bilalit në zonë në Igball Jasharin e Drenicës, u konfirmua me VAR nga gjyqtari Alban Shala që sinjalizoi në penallti. 

Jashari shënoi supergol për Drenicën në minutën e 67-të, por goli i tij u anulua pasi gjatë ndërtimit të aksionit, gjyqtari Shala pa prekje me dorë në rishikimin e situatës në VAR. 

Për Drenicën ishte fitorja e parë që prej 13 dhjetorit të vitit të kaluar. Pati ecuri prej gjashtë ndeshjeve pa fitore, me dy barazime e katër humbje. 

Gjilani në Superligë e pësoi humbjen e parë që prej 8 shkurtit. 

Drenica në pozitën e nëntë, përkatësisht të parafundit, tani i ka 25 pikë. Ferizaj i teti, në pozitën e barazhit, i ka 24 pikë, ndërsa Prishtina e Re në vendin e fundit i ka 23 pikë. 

Gjilani në vendin e pestë i ka 36 pikë.