Dy skuadrat me emrin Prishtina u takuan të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, për përballjen e xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll.

Dhe si Prishtina ashtu edhe Prishtina e Re, fituan nga një pikë nga ky ballafaqim. 

Ndeshja u mbyll me rezultatin e barabartë, 1:1. 

Për Prishtinën ishte lëshim i pikëve në garën për titull kampioni, kurse për Prishtinën e Re, pikë e rëndësishme në garën për mbijetesë. 

Prishtina mbetet pa fitore në katër ndeshjet e fundit, ku ka ecuri prej dy barazimeve e dy disfatave. 

Dy barazime e një disfatë i ka Prishtina e Re në tri ndeshjet e fundit. 

Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 37-të. Mario Ilievski e shënoi golin e epërsisë, që u pranua pas rishikimit të situatës në VAR nga gjyqtari Egzon Dakaj. 
Ilievski u asistua nga Blend Baftiu, që përfitoi pas gabimit të një futbollisti kundërshtar. 

Sfida u vendos me golin e sulmuesit Astrit Berisha, që shënoi në minutën e 73-të. 

Prishtina mbetet në pozitën e tretë me 38 pikë, kurse Prishtina e Re në fundin e tabelës i ka 23 pikë.