Ruben Silva ishte i saktë në tentimin që e pati në minutën e 92-të të ndeshjes dhe ia ka siguruar Ferizajt një fitore shumë të rëndësishme në garën për mbetje në elitën e futbollit kosovar.
Ferizaj të shtunën pasdite fitoi 2:1 në udhëtim te Malisheva, në ndeshjen e xhiros së 24-t të Superligës që u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.
Me fitore, Ferizaj ngjitet në pozitën e tetë, përkatësisht të barazhit, me 26 pikë. Në pozitën e parafundit, të nëntën, është Drenica me 25 pikë, ndërsa Prishtina e Re në pozitën e fundit i ka 23 pikë.
Malisheva mbetet në pozitën e katërt me 37 pikë, një më pak se Prishtina që është e treta.
Dy golat e parë u realizuan nga penalltia.
Malisheva kaloi në epërsi në minutën e 12-të me golin e Mevlan Zekës. Penalltia u dha me VAR, pasi gjyqtari Mervan Bejtullahu pa prekje me dorë të Ade Ogunsit në zonë.
Tjetër penallti u dha pas rishikimit të situatës në VAR nga gjyqtari Bejtullahu.
Për 1:1 në minutën e 35-të për Ferizajn shënoi pikërisht Ade Oguns, i cili e shkaktoi penalltinë në golin e Malishevës.
Goli i fitores për ferizajasit erdhi në minutën e dytë të kohës shtesë.



























